Rajon
LVV dhe LDK dakordohen për presidentin
31.08.2026 15:15
Kurti dhe Abdixhiku kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.....

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit. Ata janë dakorduar për emrin e Bekim Sejdiut për president.
“Nga të gjithë emrat që janë propozuar e shqyrtuar, në mesin e të cilëve të gjithë ishin individë të dalluar, gjatë diskutimeve të përbashkëta jemi dakorduar për një emër dhe ai është Profesor Doktor Bekim Sejdiu. Karriera e Profesor Doktor Sejdiut është e shquar dhe e pasur, me përvojë të ndryshme e pozita të rëndësishme.’’, - deklaroi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Bekim Sejdiu, kandidat konsensual për president
Ndërsa Bekim Sejdiu ka thënë se pajtueshmëria për emrin e tij e nderon, prandaj ka falënderuar përfaqësuesit e të dyja partive për besimin e dhënë.
“Gjatë këtyre negociatave, dy partitë kanë arritur një pajtueshmëri për emrin tim si kandidat presidencial. Gjithsesi, kjo mua më bën të ndihem i nderuar. Besimi që më kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive politike për çka shfrytëzoj rastin publikisht t’i falënderoj, është besim i madh dhe nder i madh. Unë e kam pranuar këtë propozim, ndonëse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fusha më shumë akademike dhe profesionale. Sidoqoftë, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për barrën dhe përgjegjësinë që sjell posti i Presidentit, si dhe për kontekstin aktual politik të Republikës së Kosovës, jam vënë në shërbim të Republikës së Kosovës, të qytetarëve dhe të shtetit tonë, që t’u shërbej me devotshmëri, siç kam bërë gjithmonë, kudo dhe kurdo që më jepet rasti brenda kapaciteteve të mia.", - theksoi kandidati për president, Bekim Sejdiu.
Për të votuar presidentin e ri të Kosovës, në sallë në dy votimet e para duhet të jenë të paktën 80 deputetë. Ndërsa në votimin e tretë mjaftojnë edhe 61 deputetë. Mbetet të shihet nëse të gjithë deputetët e këtyre partive do të qëndrojnë në sallë dhe ta votojnë kandidatin konsensual për president, në të kundërtën Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.
GYLTENE SINANI
