Maqedoni
Komisioni Antikorrupsion, rekomandime për financimin e partive politike
31.08.2026 15:38
Komisioni Antikorrupsion ka miratuar rekomandime sa i takon ligjit për financimin e partive politike për t’u anashkaluar rreziqet korruptive në të ardhmen....

Komisioni Antikorrupsion ka miratuar rekomandime sa i takon ligjit për financimin e partive politike për t’u anashkaluar rreziqet korruptive në të ardhmen. Kryetari i Komisionit Antikorrupsion, Adem Çuçul, theksoi rëndësinë e rregullimit të statusit të donatorit të një partie politike, jo vetëm gjatë fushatës. Gjithashtu theks të veçantë i vihet edhe përqindjes së parave, të cilat partitë i marrin nga shteti.
“Do të duhet të rregullohen të gjitha aspektet në këtë pjesë, gjegjësisht këto subjekte si donatorë mund të paraqiten edhe gjatë financimit të rregullt të partive politike në përputhje me ligjin për financimin e partive politike, si dhe në fushatën zgjedhore në përputhje me kodin zgjedhor. Ndërkohë, edhe në dy ligjet është shkruar lartësia e donacionit, e cila nuk guxon të tejkalohet, e as të akumulohet shuma më shumë se një herë në vit. Duke pasur parasysh se partia politike mund të bëjë transferimin e mjeteve midis llogarive të saj, një person i njëjtë fizik mund të paraqitet si donator, sikurse gjatë financimit të rregullt, por edhe gjatë fushatës zgjedhore.”, - deklaroi kryetari i Komisionit Antikorrupsion, Adem Çuçul.
Në fokus, gjendja pronësore e funksionarëve
Komisioni Antikorrupsion po rishikon edhe lëndë që kanë të bëjnë me gjendjen pronësore të funksionarëve, për ankesa në institucionet shtetërore, si dhe rreth legalizimit të objekteve të ndërtuara jashtëligjshëm.
“Me mbikëqyrjen e kryer në bazën e të dhënave me të cilat disponojmë, konstatuam se personi në afatin ligjor prej tridhjetë ditëve nga dita e përzgjedhjes anëtar i këshillit, nuk ka dorëzuar raport për gjendjen pronësore, me ç’rast ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e nenit 2, paragrafi 1 të ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave, ka kryer shkelje sipas nenit 109, paragrafi 1, alineja 1.”, - theksoi anëtari i Komisionit Antikorrupsion, Zoran Bogoevski.
Komisioni ka formuar edhe komision kundërvajtës prej tre anëtarëve nga përbërja e saj, i cili do të zgjidhë lëndët e kësaj fushe.
MERAL ISMAILI
