Maqedoni
Kontest për paralelet shqipe në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski - Penko”, këshilltarët shqiptarë kërkojnë zgjidhje
31.08.2026 16:04
Problemi me paralelen në gjuhën shqipe në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski - Penko”, e cila është në vijën ndarëse mes Komunës së Butelit dhe Komunës së Çairit vazhdon....

Problemi me paralelen në gjuhën shqipe në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski - Penko”, e cila është në vijën ndarëse mes Komunës së Butelit dhe Komunës së Çairit vazhdon. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka bërë të ditur se në të gjithë këtë amulli problemi qëndron tek rajonizimi, i cili nuk u mundëson fëmijëve të komunave tjera të regjistrohen në shkollat fillore të të disa komunave tjera, përpos komunës ku janë me vendbanim, dhe këtu nuk bëhet fjalë për fëmijë të etniteteve shqiptare, maqedonase apo ndonjë etnie tjetër.
“Ministria këtu nuk ka ingerenca, sepse ju e dini se me ligjin për decentralizim, shkollat fillore janë decentralizuar, dhe janë nën kompetencë të komunave. Tek ne problemet më të mëdha janë atëherë kur duhet të respektohet ligji, prandaj apeloj nga të gjithë që ta respektojnë rajonizimin. Ajo që mund ta bëj, dhe do ta bëj, është që të kërkoj nga kryetari i komunës që ta rishikojë gjendjen e paraleleve, që mos të ketë diskrepancë në numrin e nxënësve.”, - deklaroi ministrja e MASh-it, Vesna Janevska.
Ndaj vendimit që fëmijët e Komunës së Çairit të mbesin jashtë shkollës Fillore “Petar Zdravkovski–Penko” në Komunën e Butelit, kanë dalë edhe përfaqësuesit e partive shqiptare në Këshillin e Komunës së Butelit. Këshilltarët e VLEN-it dhe të AKI- së në Butel, kërkuan që institucionet të veprojnë në interes të fëmijëve, por për fat të keq, kërkesa për një zgjidhje konkrete nuk mori përgjigjen e nevojshme.
“Dëshiroj ta bëj të qartë se ne si këshilltarë shqiptarë asnjëherë nuk kemi qenë, e as nuk do të jemi për mbylljen e asnjë paraleleje, po ashtu nuk kemi votuar PRO vendimit për rajonizimin e shkollave. Ajo që kërkojmë është zbatimi i drejtë dhe i njëjtë i rregullave për të gjithë fëmijët. Është e vështirë të kuptohet se si në shkollat e tjera të Komunës së Butelit në paralelet në gjuhën maqedonase pranohen nxënës nga komunat tjera, ndërsa fëmijëve që jetojnë në afërsi të kësaj shkolle, u mohohet mundësia për t’u regjistruar në shkollën më të afërt.”, - theksoi këshilltarja e VLEN-it në Butel, Arbesa Ramani.
“Qëllimisht filluam me kritika ndaj kryetarit të komunës, i cili disa ditë më parë në media pretendonte se ne kemi votuar njëfarë lloj ligji inekzistent, pra s’ka qenë pikë e rendit të ditës për mbylljen e një paraleleje në Komunën e Butelit, gjegjësisht në ShFK “Petar Zdravkovski - Penko”, i parashtruam pyetje se pse ai i ka dhënë këto informacione jo të sakta dhe normalisht përgjigje nuk kishim nga ai.”, - u shpreh këshilltari i AKI-së në Butel, Linkest Lumani.
Këshilltarët shqiptarë kanë kërkuar në këshillin komunal që paralelja të mbetet dhe të plotësohet me nxënës nga vendbanimet përreth, por kjo pikë e rendit të ditës nuk ka kaluar duke u mbivotuar nga këshilltarët maqedonas.
FITIM KRYEZIU
