Botë

Kievi nën sulme ajrore ruse për të pestën ditë

31.08.2026 17:00

Kievi mbetet nën sulmet ajrore ruse, me shpërthime që jehojnë në qytet...

Kievi mbetet nën sulmet ajrore ruse, me shpërthime që jehojnë në qytet për të pestën ditë me radhë. Një shtypshkronjë në periferi u godit, duke shkatërruar një strukturë që duhej të shtypte mbi një milion libra shkollorë para fillimit të vitit shkollor.
 
Ndërkohë, Moska pretendon se ka kapur dhjetëra dronë ukrainas mbi rajonin e Rostovit. Ndërsa palët shkëmbejnë zjarr, Kievi paralajmëron për një ndryshim në taktikat ruse. Sipas Zelensky-t, Rusia ka lëshuar pothuajse 1.500 dronë në katër ditë, rreth 800 prej të cilëve ishin avionë luftarakë Shahed.
 
Ai gjithashtu njoftoi bisedime të reja me zyrtarët amerikanë, duke vlerësuar se Uashingtoni ndan kryesisht pikëpamjet e Kievit mbi situatën në front dhe sulmet ruse.
 
“Ne po bëjmë gjithçka për të siguruar që lufta të mos mbetet e vetmja mundësi për atë që do të vijë. Është e rëndësishme që Amerika të ndajë shumë nga pikëpamjet tona mbi situatën. Për momentin, taktika e Rusisë është të lodhë Ukrainën dhe ukrainasit. Detyra më e vështirë është të kapë dronët me motor reaktiv. Ne duhet të jemi proaktivë. Në vjeshtë, duhet ta rrisim shkallën e përgjimit në mbi 90 për qind.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. 
 
Ndërkohë, Kremlini tha se Moska mbetet e hapur për bisedime ruso-ukrainase në Turqi, por se aktualisht nuk ka konfirmim të kushteve për mbajtjen e tyre. Lidhur me samitin e mundshëm midis Trump-it, Putin-it dhe Zelensky-it, Peskov-i tha se do të kishte kuptim vetëm nëse qëllimi është finalizimi i marrëveshjeve specifike.
 
“Samiti Putin-Trump-Zelensky është propozuar prej kohësh, dhe ju e dini shumë mirë qëndrimin e kreut të shtetit tonë. Një takim i tillë është i mundur vetëm për të zyrtarizuar marrëveshjen. Marrëveshjet nuk janë një proces i thjeshtë, por një proces shumë kompleks i zgjidhjes së konfliktit që përbëhet nga një numër i madh detajesh.”, - theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. 
 
NATO-ja tha se aktualisht nuk sheh një kërcënim të menjëhershëm të një sulmi rus ndaj ndonjë anëtari, por paralajmëroi për sulme të intensifikuara ruse ndaj Ukrainës dhe aktivitete hibride në Evropë.
 
Moska, nga ana tjetër, lëshoi një paralajmërim në lidhje me aktivitetet e Aleancës në Arktik. Ministri i Jashtëm rus, Lavrov, vlerësoi se prania e shtuar ushtarake e NATO-s në rajon përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Rusisë dhe rrit rrezikun e konfliktit të armatosur.
 
ABIBE QAILI