Përshkallëzohen tensionet ShBA-Iran, sulme dhe përgjigje raketore në gjirin persik
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rikthyer...

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rikthyer në nivele të larta, pas një shkëmbimi të ri sulmesh ushtarake që ka tronditur rajonin e Gjirit Persik. Forcat amerikane goditën dy hedhës raketash iranianë në ishullin Larak, pranë ngushticës së Hormuzit.
Teherani raportoi viktima dhe të plagosur, ndërsa Uashingtoni deklaroi se objektivat ishin forca iraniane që, sipas tij, po përgatiteshin të vendosnin mina detare në këtë korridor strategjik. Komanda Qendrore e SHBA-së, Centcom, e cilësoi operacionin si një seri “veprimesh të kufizuara dhe të sakta”, të ndërmarra për të parandaluar një kërcënim të menjëhershëm ndaj lundrimit në ngushticën e Hormuzit .Përgjigjja e Teheranit erdhi disa orë më vonë.
Garda Revolucionare iraniane njoftoi lëshimin e raketave balistike drejt dy bazave amerikane në Jordani, King Hussein dhe Al-Azraq. Autoritetet jordaneze thanë se kishin interceptuar tetë raketa dhe se nuk kishte dëme të mëdha.Irani pretendoi gjithashtu se kishte goditur një bazë amerikane në Emiratet e Bashkuara Arabe, por autoritetet në Abu Dhabi e mohuan këtë pretendim.
Në qendër të përshkallëzimit ndodhet ngushtica e Hormuzit, një prej korridoreve detare më të rëndësishme në botë. Ishulli Larak, pranë Bandar Abbasit, ndodhet pikërisht në këtë zonë strategjike. Para nisjes së luftës, përmes ngushticës kalonte rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë. Përplasja ushtarake vjen në një kohë kur Uashingtoni po shton edhe presionin ekonomik ndaj Teheranit.
Më 24 gusht, SHBA-ja njoftoi një paketë të re sanksionesh, me synim kufizimin e mëtejshëm të ekonomisë iraniane dhe zgjerimin e masave ndaj kompanive dhe vendeve që vazhdojnë bashkëpunimin me Iranin.
Teherani i ka kundërshtuar sanksionet, duke i cilësuar si pjesë të politikës amerikane të “presionit maksimal”. Shkëmbimi i fundit i goditjeve rrit frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm dhe për pasoja potencialisht të mëdha për sigurinë dhe transportin energjetik në rajon.
ABIBE QAILI
