Botë

Zürichu voton ndalimin e shamisë në shkolla, përfshihen edhe nxënëset

01.09.2026 12:28

Parlamenti Kantonal i Zürichut ka votuar të hënën në favor të ndalimit të shamisë në shkollat publike...

Parlamenti Kantonal i Zürichut ka votuar të hënën në favor të ndalimit të shamisë në shkollat publike, duke hapur një debat të ri mbi lirinë fetare dhe neutralitetin e institucioneve arsimore në Zvicër.
 
Nisma, e mbështetur nga Partia Popullore e Zvicrës (SVP), kërkon ndalimin e shamisë si për mësueset, ashtu edhe për nxënëset në shkollat publike të kantonit.
 
Sipas SVP-së, shamia është “një simbol i shtypjes dhe i islamit politik” dhe nuk duhet të ketë vend në institucionet publike arsimore. Nismën e mbështetën edhe liberalët e FDP-së, së bashku me disa parti të tjera më të vogla.
 
Në anën tjetër, socialdemokratët, të gjelbrit dhe partitë e qendrës votuan kundër, duke argumentuar se një ndalim i tillë mund të cenojë lirinë e besimit fetar.
 
Qeveria e kantonit të Zürichut kishte sinjalizuar mbështetjen për nismën edhe para votimit në parlament. Tashmë, autoritetet kanë deri në dy vjet kohë për të përgatitur propozimin konkret për zbatimin e vendimit.
 
Ndalimi i shamisë për mësueset tashmë zbatohet edhe në disa kantone të tjera, përfshirë Bernën dhe Gjenevën. Javën e kaluar, një vendim të ngjashëm mori edhe parlamenti i kantonit Aargau.
 
Megjithatë, pjesa që përfshin nxënëset pritet të jetë më e debatueshme nga pikëpamja juridike.
 
Në vitin 2015, Gjykata Supreme Federale e Zvicrës kishte vendosur, pas një rasti në St. Margrethen, se argumente si neutraliteti shtetëror apo barazia gjinore nuk përbënin bazë të mjaftueshme ligjore për t’ua ndaluar nxënëseve mbajtjen e shamisë gjatë mësimit.
 
Përveç ndalimit të shamisë, parlamenti i Zürichut ka miratuar edhe një masë tjetër për shkollat publike: ndalimin e plotë të përdorimit të celularëve privatë, tabletëve dhe kompjuterëve personalë në ambientet shkollore.
 
Vendimi për shaminë pritet të hapë një debat të gjerë politik dhe juridik, veçanërisht për përplasjen mes neutralitetit të shtetit dhe garantimit të lirisë fetare. /Telegrafi/