Maqedoni

Klekovski: Në RMV gjithsej 55 të prekur nga ethet e Nilit

01.09.2026 14:18

Në vend janë regjistruar gjithsej 55 pacientë të prekur nga ethet e Nilit Perëndimor...

Në vend janë regjistruar gjithsej 55 pacientë të prekur nga ethet e Nilit Perëndimor, nga të cilat 53 raste janë konfirmuar dhe 2 raste janë të pakonfirmuara, bën të ditur ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. Sipas këtij të fundit, nga 53 rastet e konfirmuara, 52 prej tyre janë të hospitalizuar, ndërsa njëri nga ato nuk është i hospitalizuar.
 
“Hospitalizimi i parë ka qenë në muajin maj, por rritja më e theksuar ka filluar të ndjehet që nga data 13 korrik, prej kur edhe filluan të zbatohen masat. Kurse hospitalizimet më të mëdha i kemi pasur në fillim të muajit gusht, ndërsa qyteti me raste më të mëdha mbetet qyteti i Shkupit. Po ashtu dua t’i apeloj qytetarët që në numër më të madh t’i vaksinojnë fëmijët e tyre nga fruthi, sepse numri i tyre është shumë i ulët apo rreth 62 për qind kemi të vaksinuar, e bëjmë këtë apel, sepse numri i të prekurve nga fruthi dukshëm po rritet në Kosovë dhe Bullgari.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
 
Cana: 19 të hospitalizuar nga ethet e Nilit Perëndimor
 
Në Klinikën Infektive në Shkup janë të hospitalizuar 19 persona, 5 prej të cilëve janë në gjendje më të rëndë.
 
“Momentalisht në Klinikën për Sëmundje Infektive në repartin për mjekim intensiv janë 5 pacientë, ku të gjithë 5 pacientët janë me pasqyrë të rëndë klinike, tre prej tyre janë të ekstubuar, dhe pasqyra klinike është përmirësuar, dy pacientë i kemi në trajtim me respirator, ndërsa numri tjetër nga 19 pacientët e hospitalizuar është e mirë, dhe rastet e rënda janë të moshës së shtyrë dhe të gjithë janë të gjinisë mashkullore. Ndërsa deri më tani janë shëruar plot 28 persona.”, - theksoi drejtori i Klinikës Infektive në Shkup, Fadil Cana.
 
Njëherësh nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Instituti i Shëndetit Publik kanë apeluar se të dhënat e fundit të cilat vijnë nga Kosova dhe Bullgaria tregojnë se numri i fëmijëve të prekur nga fruthi, është alarmante, dhe duhet të fillohet një fushatë sensibilizuese, për vaksinimin e fëmijëve, sepse numri i të vaksinuarve në vendin tonë është shumë i ulët. Sipas Institutit për Shëndetin Publik, që të krijohet një imunitet kombëtar edhe në nivel nacional edhe në atë regjional, numri i të vaksinuarve duhet të jetë diku rreth 95 për qind. Ndërsa shifrat tek ne tregojnë se për hepatitin B kemi 77 për qind të vaksinuar, për Haemophilus Influenzae kemi 78 për qind, Deftaria Tetanus Pertusis 79 për qind, vaksinimi kur polios 79 për qind, dhe HPV 51 për qind.  
 
FITIM KRYEZIU