Botë
Forumi strategjik i Bledit, Kos: Dokumenti i ri për zgjerim, fitojnë aspirantët
01.09.2026 14:32
Vendet aspirante duhet t’i përmbushin kushtet e nevojshme në mënyrë që të integrohen në BE....

Vendet aspirante duhet t’i përmbushin kushtet e nevojshme në mënyrë që të integrohen në BE, por edhe institucionet e BE-së të bëjnë ndryshime brenda tyre. Ky ishte mesazhi i eurokomesares për Zgjerim, Marta Kos, në forumin strategjik të Bledit. Duke folur për zgjerimin, potencoi dokumentin që do të prezantohet në tetor, e që ka të bëjë me integrimin gradual dhe beneficionet e aspirantëve gjatë rrugës aspiruese.
“Ne gjithashtu duhet ta ndryshojmë veten. Liderët tanë duhet të jenë gati që të bëjmë disa ndryshime brenda. Ne, Komisioni Evropian, do të prezantojmë disa ide për Këshillin Evropian në tetor, dhe pjesa e dytë, liderët tanë duhet gjithashtu t’ua shpjegojnë vendeve të tyre se çfarë është zgjerimi. Në dokumentin që do ta përgatisim në fund të shtatorit, si temë diskutimi për samitin e tetorit do të ketë katër fusha. E para do të jetë ajo se si do të shfrytëzohet integrimi gradual i kandidatëve, që do të thotë, vendet kandidate të përfitojnë ndonjë të mirë edhe para anëtarësimit të plotë.”, - deklaroi eurokomesarja për Zgjerim, Marta Kos.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Hoxha: BE-ja të tregohet kredibile me ne
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, nënvizon se Shqipëria pos që aspiron të integrohet, është e gatshme edhe të jetë e dobishme për Evropën. Shqipëria dëshiron të ndihmojë në formësimin e Evropës së nesërme, tha kryediplomati shqiptar. Sipas tij, reformat brenda institucioneve të BE-së, vështirë të ndodhin.
“Zgjerimi nuk do të thotë të bëhet Bashkimi Evropian më i madh, por për ta bërë më të sigurt. Në procesin që jemi bashkë me Malin e Zi po bëjmë dy gjëra: i besojmë KE-së, BE-së, i bëjmë reformat, i prezantojmë dhe presim nga ana e BE-së që ta bëjë punë e vet. Jam thellësisht i bindur se kjo është koha e fundit që BE-ja të jetë kredibile me ne, në të kundërtën, muzika do të jetë e njëjtë… Jemi atje, jemi pjesë e Evropës. Ne nuk duam të jemi vetëm ata që fitojnë, por edhe të kontribuojmë.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Një ditë më parë, ministri i Jashtëm, Mucunski, ka theksuar kërkesën e shtetit tonë drejt eurointegrimit. Insiston që ky rrugëtim mos të kërkojë transformimin e identitetit dhe aderim të bëhet sipas sistemit meritor. Në këtë konferencë ndërkombëtare ka marrë pjesë edhe Jeton Zulfaj, kryenegociator i Kosovës me Bashkimin Evropian.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
