Maqedoni
Strugë, ndërpritet mësimi në katër shkolla
01.09.2026 15:28
Në fillim të vitit të ri shkollor, arsimi në zonat rurale në Strugë përballet me rënien e numrit të nxënësve dhe për pasojë edhe mbylljen e katër shkollave....

Në fillim të vitit të ri shkollor, arsimi në zonat rurale në Strugë përballet me rënien e numrit të nxënësve dhe për pasojë edhe mbylljen e katër shkollave. Ndërsa në qytet mungojnë hapësirat për paralele të reja.
“Shkolla përballet me mungesë hapësirash dhe duhet të hapet edhe një paralele shqiptare te klasat e para, të dyta dhe të treta, ndërsa te paralelet maqedonase është mbyllur një paralele për shkak të mungesës së nxënësve. Kemi bërë kërkesë, por në finalizimin e saj na kthehet, me arsyetimin e mungesës së financave.”, - deklaroi drejtoresha, Rudina Kreka Kupa.
Me propozim të Ministrisë së Arsimit parashihet reduktimi i paraleleve me numër të vogël nxënësish. Në Komunën e Strugës thonë se procesi synon rritjen e cilësisë në arsim dhe shfrytëzimin më racional të mjeteve financiare.
“Këtu kemi të bëjmë edhe me reduktimin e paraleleve, por edhe me mbylljen e shkollave të cilat kanë shumë pak nxënës. Në katër shkolla në Komunën e Strugës gjithsej ka pasur tetë nxënës dhe kjo na bën që ne duhet t’i mbyllim katër shkolla. Kjo bëhet për të mirën e fëmijëve.”, - theksoi kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.
Këshilltarët komunalë nga partitë opozitare kërkojnë më shumë transparencë dhe kritere të barabarta gjatë procesit të reduktimit të paraleleve.
“Ne e vlerësojmë këtë si një proces jotransparent dhe tendencioz për mbylljen kryesisht të paraleleve në shkollat shqiptare. Nga materialet që kemi marrë, kemi dyshime se ky proces ka elemente të diskriminimit ndaj vendbanimeve të ndryshme. Si opozitë, ne nuk do ta përkrahim një vendim të tillë.”, - theksoi këshilltari i BDI-së, Faton Pollozhani.
“Nuk jemi kundër optimizimit, por kundër një procesi që mbyll shkolla pa analiza të mirëfillta. Para çdo vendimi duhet të ketë analizë demografike, konsultime me prindërit dhe plan të qartë për transportin dhe transferimin e nxënësve.”, - u shpreh këshilltarja e Lidhjes Shqiptare, Premtime Zylali.
Këtë vit, procesi mësimor është ndërprerë në katër shkolla rurale – në Bogovicë, Pohum, Nerez dhe Zhepin. Në klasë të parë këtë vit janë regjistruar 470 nxënës, krahasuar me 481 vitin e kaluar.
FITORE ISTREFI
