Filloi viti i ri shkollor, Janevska dhe Mickoski uruan nxënësit
01.09.2026 15:42
Janevska dheMickoski theksuan se ekzekutivi është i angazhuar në përmirësimin e kushteve në të gjitha shkollat e vend....

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, dhe kryemsinitri Hristijan Mickoski, me rastin e fillimit të vitit shkollor u uruan nxënësve një vit të suksesshëm shkollor, duke u bërë thirrje që t’i kushtojnë rëndësi dijes, por edhe marrëdhënieve me bashkëmoshatarët. Ata njëherësh theksuan se ekzekutivi është i angazhuar në përmirësimin e kushteve në të gjitha shkollat e vend.
"Sot më 1 shtator kur fillon viti i ri shkollor, nxënësve të klasave të para, prindërve të tyre dhe arsimtarëve u uroj shumë sukses në fillimin e vitit shkollor, por edhe shumë sukses në punën e tyre dhe mësim. Jemi të përgatitur për vitin shkollor, libra ka, është e dukshme se po përmirësohet infrastruktura, është e dukshme se po sigurojmë mjete teknike dhe gjithçka që është e nevojshme.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
“Të gjithë nxënësve të klasës së parë u uroj ditë të suksesshme shkollore, shoqërim dhe arritje të miqësive të reja. Tani fillojnë një fazë të re të jetës së tyre, e cila do të ketë sfida të shumta. Mund të konfirmoj se në të gjitha shkollat në vend janë siguruar libra pa pagesë, diçka që para tre vitesh paraqiste diçka imagjinare.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Sa i përket mbylljes së 26 shkollave në vend, kryeministri Mickoski tha se kjo është pasojë e faktorëve demografikë, shpërnguljeve, uljes së natalitetit, por edhe politikave të gabuara të ndjekura në të kaluarën.
Akademia Policore, Toshkovski: Vetëm 40 kandidatë nga bashkësitë jomaqedonase
Viti i ri shkollor për herë të parë pas 30 vitesh nisi edhe në Akademisë Policore, ku ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, u uroi 310 kandidatëve fillimin e vitit të ri shkollor. Sa i përket numrit të vogël të shqiptarëve dhe bashkësive tjera të pranuar në Akademinë Policore, Toshkovski theksoi se nga 510 kandidatët e paraqitur, rreth 40 kanë qenë nga të gjitha bashkësitë në vend.
“Për fat të keq, nga ata gjithsej 510 që kanë aplikuar, numri i kandidatëve të interesuar që vijnë nga pakicat në Maqedoni ishte shumë i vogël. Në përputhje me informatat që i kam, ai numër gjithsej ishte rreth 40 nxënës nga shkollat e mesme të vendit, e kam fjalën për të gjitha etnitë, jo vetëm për një etni në vend. Këtu nuk mund të shoh diçka joligjore apo jokushtetuese, por kjo nuk është kruciale, kruciale është se a na duhen zyrtarë policorë shqiptar, po na duhen, sa? Shumë. A na duhen zyrtarë policorë turq, vlleh, rom? Po, na duhen. Sa? Shumë. Para së gjithash na duhen të ndershëm, profesionistë, të edukuar dhe njerëz që e duan Maqedoninë.”, - u shpreh ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Mickoski: Do të ketë paralele në gjuhën shqipe, nëse ka nxënës
Lidhur me këtë çështje, kryeministri Mickoski thotë se nëse plotësohen kushtet, do të ketë paralele me mësim në gjuhën shqipe në Akademinë Policore.
“Po, absolutisht këtu nuk ka kurrfarë problemi nëse plotësohen kushtet që nga ky vit do të ketë paralele ku mësimi do të ndiqet në gjuhën shqipe. Këtu nuk duhet të ndjejnë sfidë asnjë nga të regjistruarit e as prindërit.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Kryeministri njëherësh theksoi, se nëse formohen edhe paralele të kombeve tjera në përputhje me ligjin të cilët ndjekin mësimin në gjuhën amtare, do të ketë edhe paralele të tilla.
REXHEP QAMILI
