Maqedoni
Regjistrimi i fëmijëve nga Çairi në “Penko”, Kostovski: Është respektuar organizimi territorial
01.09.2026 15:53
Me rastin e fillimit të vitit shkollor urime për nxënësit ka përcjellë...

Me rastin e fillimit të vitit shkollor urime për nxënësit ka përcjellë edhe zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, i cili me këtë rast vizitoi Shkollën Fillore “Naim Frashëri” në Kumanovë.
Numri dy i arsimit, po ashtu ka bërë të ditur se është gjetur zgjidhje për mos mbylljen e paraleles në gjuhën shqipe në Sh.F. “Penko” në Komunën e Butelit, duke u lejuar regjistrimi i nxënësve edhe nga Komuna e Çairit. Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, ka sqaruar se zgjidhja në këtë rast është që ata fëmijë të cilët kanë motër apo vëlla që mëson në Sh.F. “Penko”, do të mund të regjistrohen në atë shkollë.
“Mendoj se askush nuk është i diskriminuar dhe më vjen keq që u dha konotacion etnik, për shkak se nuk ka të bëjë aspak me atë që dikush dëshiron ta paraqesë. Ajo që është me rëndësi, është se për të gjitha shkollat, edhe për këtë, por shoh edhe në të gjithë territorin e Qytetit të Shkupit ta respektojmë organizimin territorial që është votuar edhe nga Komuna e Butelit. Disa struktura po mundohen të arrijnë diçka që nuk po e di se çka, nuk votuan as kundër atij vendimi, ndoshta ishin të përmbajtur, por nuk votuan, në atë periudhë kaloi gjithçka në rregull dhe tani përnjëherë gjejnë problem.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski.
Kostovski thekson se në Shkollën Fillore “Penko” aktualisht ka katër paralele me nga 22-23 nxënës, ndërsa deri vitin e kaluar kishte 5 paralele me nga 35 nxënës me proces arsimor jokualitativ, prandaj, siç tha ai, duhet të pyeten prindërit e Komunës së Butelit, të cilëve fëmijët e tyre u mësojnë në “Penko”, çfarë mësimi dëshirojnë për fëmijët e tyre.
Kanë reaguar nga BDI-ja, nga e cila nuk pajtohen me vendimin që në Shkollën Fillore “Penko” të regjistrohen vetëm fëmijët nga Komuna e Çairit, të cilët kanë motër apo vëlla, që u mëson në këtë shkollë, pasi sipas kësaj partie, kjo paraqet diskriminim.
VLORA LATIFI TOPOJANI
