Maqedoni
Kumanovë, nisi edicioni i tretë i “KU-Fest”
01.09.2026 16:11
Në Pallatin e Kulturës në Kumanovë ka nisur edicioni i tretë i Festivalit Ballkanik të Teatrove “KU-Fest”...

Në Pallatin e Kulturës në Kumanovë ka nisur edicioni i tretë i Festivalit Ballkanik të Teatrove “KU-Fest”, një ngjarje që bashkon artdashës dhe trupa teatrore nga rajoni.
Festivalin e hapi moderatorja Anita Latifi, e cila në fjalën e saj theksoi rëndësinë e këtij festivali rajonal dhe rolin që ai luan në promovimin e artit skenik, bashkëpunimit dhe miqësisë ndërmjet artistëve dhe publikut.
“Ballkani një territor goxha i vogël me 13 shtete që kufizohen brenda tij, një territor në të cilin fliten disa gjuhë, gjuhë të cilat tingëllojnë e shkruhen ndryshe. Është një nga trevat më laramane të Evropës, kësaj treve laramane kulturore i shtohet edhe Festivali ynë “KU-fest”, për të tretën herë me radhë dhe për këtë publik besnik kumanovar sjell më të mirën e Ballkanit nga skena e teatrit.”, - theksoi moderatorja, Anita Latifi.
Edicioni i tretë i “KU-Fest” u hap me shfaqjen “Rinoqerontët”, me regji të Vasil Vasilevit, e realizuar nga Teatri Shqiptar – Shkup. Artdashësit kumanovarë, por edhe të pranishmit nga qytetet përreth, patën mundësinë të shijojnë një mbrëmje të veçantë teatrale, duke dëshmuar edhe njëherë interesimin për këtë ngjarje kulturore.
“Natyrisht se çdo eveniment kulturor që ngjet në qytetin tonë apo gjithkund në botë është një sihariq i mirë për të gjithë dashamirët e kulturës, edhe ky festival i teatrove që po mbahet për të tretin vit me radhë këtu në Kumanovë, padyshim se është i një rëndësie të veçantë, meqë mbledh teatro nga mbarë rajoni, mbarë Ballkani dhe kemi mundësi që të shohim fytyra të reja, shfaqe të reja, të cilat performojnë brenda këtyre ditëve të këtij festivali.”, - u shpreh Dr. Sevdail Demiri.
“Mendoj se Teatri, Kultura, Letërsia, të gjitha këto janë Elita e shpirtit dhe padyshim që njeriu gjithmonë e ndjen një boshllëk shumë të madh kur i mungojnë një qytetit të madh pikërisht siç është qyteti i Kumanovës, e që llogaritet djep i Kulturës dhe padyshim duhet të jenë pjesë përbërëse e qytetarit, sidomos shfaqet teatrale që në përgjithësi mungojnë, por edhe qytetarët duhet të jenë më të vetëdijshëm për të ardhur për t’i ndjekur, sepse nga këto natyrisht ai e qytetëron veten.”, shtoi mes tjerash Emrah Bilalli.
“Është nata e parë e Festivalit sonte, personalisht është hera e parë që marr pjesë, kam ardhur special prej Zvicre për ta ndjek këtë Festival, do ta ndjek deri në fund dhe mbase ditën e fundit do t’i them përshtypjet e Festivalit. Por, shfaqjen, e cila u luajt sot e njoh, është një ndër shfaqjet konkurruese të këtij Festivali, shfaqje e nivelit të lartë me interpretim pothuaj se perfekt.”, - theksoi Veton Ibrahimi.
“Festivali “KU-Fest” është java më e bukur që i ndodh qytetit të Kumanovës në aspektin e kulturës, për shkak se ky qytet, por edhe vendi ynë fatkeqësisht përballet me shumë probleme të natyrave të ndryshme, kështu që kur ka shfaqje e javë të tilla që i dedikohen Kulturës, Teatrit e Shfaqjeve, qytetarët tanë i presin me padurim.”, - shtoi mes tjerash, Huzeir Mustafi.
Ndërkaq, sonte, në natën e dytë të festivalit, në skenën e “KU-Fest” do të ngjitet Teatri i Qytetit të Preshevës me shfaqjen “Vetmi në Perëndim”, me regji të Afeida Boriçit. Drejtuesit e “KU-Fest” u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos e humbasin këtë mbrëmje të veçantë, të mbushur me art, dashuri dhe miqësi.
FATLUM AQIFI
