Maqedoni

Kuvendi e nis seancën e 121-të me 53 pika në rendin e ditës

02.09.2026 08:56

Kuvendi sot do ta mbajë seancën e 121-të, në të cilën në rendin e ditës janë 53 pika....

Kuvendi sot do ta mbajë seancën e 121-të, në të cilën në rendin e ditës janë 53 pika. Deputetët duhet të votojnë për emërimin e Arljinda Hasani Sinani si zëvendësguvernatore e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
 
Në seancë parashikohen edhe ratifikime të disa marrëveshjeve ndërkombëtare, ndër të cilat konventa për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil, protokolli me Lituaninë për marrjen në dorëzim të personave që qëndrojnë pa leje, si dhe marrëveshjet me Slloveninë dhe Portugalinë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.
 
Deputetët do të diskutojnë edhe për Propozim-ligjin për raportimin dhe verifikimin e investimeve të huaja direkte, në lexim të parë, si dhe për Propozim-Strategjinë kombëtare për sigurinë e komunikacionit rrugor për periudhën 2026–2030.
 
Në rendin e ditës është edhe dhënia e pëlqimit për Statutin e Komisionit Rregullator për Energjetikë, Shërbime Ujore dhe Shërbime për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale.
 
Pjesa më e madhe e pikave kanë të bëjnë me ndryshime ligjore sipas procedurës së shkurtuar, me të cilat bëhet harmonizimi me Ligjin e ri për drejtuesit e lartë. Ndryshimet përfshijnë një numër të madh fushash, ndër të cilat sigurimin pensional dhe invalidor, prokurimet publike, doganat, shëndetësinë, bujqësinë, mjedisin jetësor, mbikëqyrjen inspektuese dhe menaxhimin e krizave.
 
Kuvendi duhet ta shqyrtojë edhe Raportin vjetor të Agjencisë për Mbrojtjen e së Drejtës për Qasje të Lirë në Informacionet me Karakter Publik për vitin 2025.