Maqedoni
Vazhdon gjykimi për zjarrin në “Puls”
02.09.2026 09:32
Në sallën e gjyqit në Idrizovë sot vazhdon procesi gjyqësor për zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan...

Në sallën e gjyqit në Idrizovë sot vazhdon procesi gjyqësor për zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa më shumë se 200 u lënduan. Me ekspertizën ndërtimore pritet të përfundojë procedura e paraqitjes së provave nga Prokuroria, pas së cilës provat do t’i paraqesë mbrojtja.
Në seancën e sotme pritet të prezantohet ekspertiza ndërtimore e përgatitur nga një ekip i Fakultetit të Ndërtimtarisë pranë UKIM-it, pas së cilës pritet të merren në pyetje edhe ekspertët që e kanë përgatitur atë.
Në seancën e mëparshme, profesori dhe eksperti Goran Markovski theksoi se ndryshimi i destinimit dhe riorganizimi i hapësirës, ndryshimet në instalimet elektrike, të ujësjellësit dhe kanalizimit, si dhe përdorimi i materialeve joadekuate, kanë ndikuar drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesave themelore për sigurinë e objektit.
Sipas ekspertit, organet kompetente, në përputhje me Ligjin për Ndërtim, është dashur të reagojnë ndaj ndërhyrjeve të paligjshme, por reagimi mungoi deri në mars të vitit 2025, kur pas zjarrit u përgatitën procesverbalet e para nga mbikëqyrja inspektuese.
