Botë

Përshkallëzim i ri, Zelenskyy: Hapësira ajrore ruse do të mbyllet

02.09.2026 13:51

Presidenti ukrainas Zelenskyy paralajmëroi se hapësira ajrore ruse “de facto” do të mbyllet...

Presidenti ukrainas Zelenskyy paralajmëroi se hapësira ajrore ruse “de facto” do të mbyllet, për shkak të rritjes së rrezikut nga dronët ukrainas. Ai u bëri thirrje kompanive ajrore dhe siguruesve që ta marrin parasysh këtë rrezik.
 
“Ukraina nuk e rrezikon aviacionin civil, por kompanitë ajrore që fluturojnë drejt Moskës, Shën Petersburgut ose qendrave të tjera të mëdha duhet ta marrin parasysh rrezikun nga dronët. Hapësira ajrore ruse de facto do të mbyllet.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy. 
 
Moska reagoi. Putini e akuzoi Kievin për “terrorizëm shtetëror” dhe deklaroi se “me terroristët nuk negociohet”. Ai rikujtoi se Ukraina kishte paralajmëruar më herët sulme ndaj ekonomisë ruse dhe paralajmëroi se Moska do të kundërpërgjigjet, nëse Zelenskyy i realizon kërcënimet.
 
“Nëse dikush përpiqet të na tërheqë në zinxhirin ushqimor dhe të na gëlltisë, mund të marrë edhe një grusht në dhëmbë. Forcat e Armatosura Ruse kanë marrë udhëzime të përgatisin dhe të fillojnë sulme masive ndaj objekteve energjetike ukrainase. Ata i sulmojnë objektet tona – do të marrin përgjigje.”, - theksoi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin. 
 
Ndërkohë, Gjermania e akuzoi Rusinë për sulmin e dështuar me një dron të mbushur me eksploziv në aeroportin Leipzig/Halle më 4 gusht dhe, si përgjigje, njoftoi mbylljen e dy përfaqësive ruse.
 
“Kemi tregues për përfshirje ruse. Rasti përputhet me modelin e njohur të aktiviteteve hibride ruse.”, - u shpreh ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt. 
 
Pas veprimit të Berlinit, shefi i diplomacisë ukrainase bëri thirrje për një “strategji vendimtare” për përballimin e kërcënimeve ruse në Evropë.
 
“Këto nuk janë incidente të izoluara, por pjesë përbërëse të strategjisë së qëllimshme dhe të orientuar të Rusisë. Evropës i nevojitet një strategji vendimtare për përballimin e kërcënimeve ruse. Ukraina është e gatshme të ndajë përvojën e saj dhe të kontribuojë në mbrojtjen e stabilitetit euroatlantik.”, - shkroi në postimin e tij ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Andrij Sybiha. 
 
Brukseli shprehu solidaritet me Gjermaninë dhe deklaroi se sulmet hibride nuk do të mbeten pa përgjigje.
 
“Do ta mbajmë Bashkimin Evropian të bashkuar, pavarësisht këtyre veprimeve serioze dhe në përshkallëzim. Qeveria gjermane ka ndërmarrë masa të ashpra dhe mesazhi është i qartë – sulmet hibride nuk do të mbeten pa një përgjigje të qartë.”, thuhet në postimin e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. 
 
Rusia i hodhi poshtë akuzat e Berlinit dhe paralajmëroi se do të përgjigjet. Ndërkohë, sulmet e ndërsjella vazhdojnë. Moska po i intensifikon sulmet ajrore ndaj Kievit.
 
ARMEND MURSELI