Maqedoni
Vazhdon lufta me zjarret në vend, 6 vatra ende aktive, situata më kritike në Shtip
02.09.2026 15:15
Vazhdon lufta me zjarret në vend....

Vazhdon lufta me zjarret në vend. Numri i vatrave të zjarrit nuk po zvogëlohet. Ekipet e zjarrfikësve ndodhen në terren për t’u përballur me flakët që kanë përfshirë Maqedoninë e Veriut. Aktualisht janë raportuar mbi 41 vatra zjarri në ambiente të hapura. Nga këto, 6 vatra janë ende aktive, ndërsa pjesa tjetër janë shuar ose janë vënë nën kontroll. Në gjendjen më kritike është zjarri në zonën e fshatrave Seltse dhe Bukçes, në Shtip, i cili ka dalë jashtë kontrollit. Atje, momentalisht intervenojnë helikopteri i Ushtrisë dhe aeroplanët e DMSh-së, si dhe zjarrfikës nga Koçani dhe qytete të tjera. Zjarrvënie e qëllimshme është regjistruar sërish në Studeniçan. Ndërsa zjarri në kufi me Kosovën rrezikon disa fshatra.
“Gjatë natës, nga ana e Kosovës, në Maqedoni ka hyrë një zjarr i madh, i cili momentalisht lëviz në drejtim të fshatit Graçan dhe ka një vijë të gjerë zjarri, e gjatë rreth 5 kilometra. Në vendin e ngjarjes janë zjarrfikësit e Shkupit, me mbështetjen e ekipeve të zjarrfikësve nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim. Të njëjtit janë duke u përpjekur që zjarrin ta vënë nën kontroll, në mënyrë që rreziku të mos vijë deri te fshatrat përreth. Për momentin, nuk ka një rrezik të tillë, por aroma e zjarrit ndihet në disa pjesë të Shkupit.”, - deklaroi drejtori i DMSh-së, Stojançe Angelov.
Për shkak të një zjarri pranë Mariovës, është ndërprerë trafiku hekurudhor drejt Manastirit.
“Ka rënë një zjarr i madh në Mariovë, pikërisht aty ku kalon linja hekurudhore. Të gjitha autoritetet kompetente janë duke luftuar për ta vënë fillimisht zjarrin nën kontroll dhe pastaj për ta shuar plotësisht. Fatkeqësisht, zjarri ka përfshirë edhe linjën hekurudhore.’, - theksoi zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski.
Pesë zjarre janë vënë nën kontroll, informojnë nga Qendra për Menaxhim me Krizat.
“Zjarri në Saraj është momentalisht mbi Radushë dhe nuk rrezikon asnjë vendbanim. Ekipet janë në terren dhe po vëzhgojnë situatën. Një zjarr tjetër ka shpërthyer dje në Komunën e Gjorçe Petrovit, në fshatin Graçan. Mbrëmë, ekipet kanë shkuar në terren dhe ende janë atje. Zjarri në Kërçovë është aktiv. Ekipet janë në terren dhe po vëzhgojnë situatën. Edhe aty nuk ka rrezik për vendbanimet.”, - theksoi drejtori i QMK-së, Muhamed Ali.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shuar 30 zjarre. Pas 72 orësh është shuar zjarri më i madh i këtij viti, në rrëzë të Parkut Kombëtar “Pelister”.
FARIJE DAUTI BAKIU
