Maqedoni

VLEN: Ali Ahmeti u detyrohet shqiptarëve të vërtetën

02.09.2026 15:33

Koalicioni VLEN ka akuzuar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti...

Koalicioni VLEN ka akuzuar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin, për fshehje të së vërtetës lidhur me prapaskenat e Marrëveshjes së Ohrit dhe statusin e gjuhës shqipe në Kushtetutë. Durmishi u thirr në deklaratat e fundit të një prej figurave kyçe të vitit 2001, Gëzim Ostrenit, sipas të cilit gjuha shqipe mbeti e fshehur pas formulimit të “20 përqindëshit” në vend se të emërohej qartë. Sipas VLEN-it, BDI-ja e ka përdorur Marrëveshjen e Ohrit si një mburojë politike për të mbuluar dështimet, korrupsionin dhe pazaret në kurriz të shqiptarëve gjatë dy dekadave të kaluara. Ai shtoi se kjo marrëveshje është rezultat i sakrificës së popullit dhe jo pronë private e askujt.
 
“Sa herë që BDI-ja kapej ngushtë për korrupsion, dështime apo pazare në kurriz të shqiptarëve, Ali Ahmeti dilte para shqiptarëve duke përdorur Marrëveshjen e Ohrit. E përdori si mburojë për gjithçka që bëri dhe për shumëçka që nuk e bëri. Këtë vazhdon ta bëjë edhe sot e kësaj dite. Por, Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi e BDI-së dhe as pronë e Ali Ahmetit. Ajo është rezultat i sakrificës së një populli të tërë. Prandaj, shtrohet edhe pyetja e dytë. Nëse për gjuhën shqipe ke bërë kompromise, çfarë tjetër nuk u ke treguar shqiptarëve? Ndryshe nga BDI-ja, ne Marrëveshjen e Ohrit nuk e përdorim për t’u lavdëruar, por për ta çuar përpara. Për herë të parë pas 25 vjetësh, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat po e shndërrojmë nga parimi kushtetues në LIGJ, ndërsa decentralizimin po e rikthejmë aty ku e ka vendin, në mesin e prioriteteve kryesore. Këto janë dy shtylla të Marrëveshjes së Ohrit që për më shumë se dy dekada mbetën përgjysmë dhe, siç po duket, u bënë kurban i kompromiseve e pazareve politike të Ali Ahmetit. Sado e dhimbshme të jetë e vërteta, ajo duhet të thuhet. Sidomos kur në emër të shqiptarëve është folur shumë, ndërsa në kurriz të tyre janë bërë edhe më shumë abuzime.”, - deklaroi Besar Durmishi nga VLEN.