Paraburgim për 19-vjeçarin e dyshuar për sulmin ndaj një 13-vjeçar në Shkup

02.09.2026 15:43

Gjendja e të riut 13-vjeçar, i cili mori lëndime të rënda nga një sulm...

Gjendja e të riut 13-vjeçar, i cili mori lëndime të rënda nga një sulm me thikë në pjesën e gjoksit, nga një moshatar i tij, është stabile, thonë nga Klinika Universitare “Nënë Tereza” në Shkup, por i njëjti akoma është në shërim intensiv.
 
Por, për incidentin i cili ka ndodhur në orët e mbrëmjes së ditës së hënë, në rrugën “Brigada Maqedonase Kosovare”, me epilog kanë dalë edhe nga Prokuroria. Prokuroria Themelore Publike, e cila i ka caktuar masën e paraburgimit 30-ditor ndaj një personi me iniciale P.I. 19-vjeçar të dyshuar për kryerjen e veprës penale – Dhunë, ndërsa personat e tjerë të cilët janë të moshës minore nuk mund të jenë të përfshirë në masën e paraburgimit.  
 
“Prokuroria Themelore Publike në Shkup lëshoi një Urdhër për të zhvilluar një procedurë hetimore kundër një personi 19-vjeçar të dyshuar për kryerjen e veprës penale - Dhunë sipas nenit 386, paragrafi 6, në lidhje me paragrafin 3 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal. I dyshuari dhe vëllai i tij i mitur, i cili është nën kufirin ligjor për përgjegjësi penale, kryen akte dhune që shkaktuan lëndime të rënda trupore tek një fëmijë dhe një i rritur me plagë thike, ndërsa një fëmijë tjetër u lëndua lehtë. Ata shkaktuan një ndjenjë pasigurie, kërcënimi, frike dhe ankthi në publik dhe tek personat e pranishëm. Prokurori publik i paraqiti një propozim gjyqtarit të procedurës paraprake për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin e rritur.”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Publike të RMV-së. 
 
Derisa të gjitha mediat e vendit raportuan se incidenti ka ndodhur në Komunën e Çairit, pikërisht nga kjo e fundit dolën me sqarim, duke theksuar se ngjarja nuk ka ndodhur brenda territorit të saj. 
 
“Komuna e Çairit shpreh keqardhje të thellë për incidentin në të cilin është lënduar rëndë një i mitur dhe shpreson në shërimin sa më të shpejtë të tij. Në lidhje me informacionet e publikuara në media, sqarojmë se ngjarja në fjalë nuk ka ndodhur në territorin e Komunës së Çairit. Hetimi dhe përcaktimi i plotë i rrethanave të rastit janë në kompetencë të institucioneve përkatëse. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e rastit, veçanërisht faktin se bëhet fjalë për të mitur, apelojmë për raportim të kujdesshëm dhe për verifikimin e saktë të informacioneve, përfshirë edhe lokacionin e ngjarjes, në mënyrë që të shmanget krijimi i një perceptimi të gabuar në opinion.”, thuhet në komunikatën e Komunën e Çairit. 
 
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, por edhe institucionet tjera kanë qenë të shqetësuar për rastin, dhe sipas tyre, institucionet do të duhet të punojnë më shumë në ngritjen e vetëdijes tek të rinjtë, dhe kjo mënyrë e edukimit duhet të bazohet që nga shtëpia, shkolla, por edhe puna sistematike me të rinjtë. 
 
FITIM KRYEZIU