Gjendja financiare e shtetit, partitë me akuza, LSDM: Mickoski përsëri rëndon me borxh

02.09.2026 15:45

LSDM akuzon Qeverinë....

LSDM akuzon Qeverinë se përsëri e ka futur shtetin në borxh dhe pretendojnë se para në buxhet nuk ka. Nga LSDM thonë se me borxhin e ri, borxhi i përgjithshëm po rritet deri në 4 miliardë euro. Akuzë edhe për rritjen e shpenzimeve jetësore dhe  refuzim të  ngritjes së pagës minimale.
 
“Mickoski përsëri po e fut Maqedoninë në borxhe. Qeveria, në një seancë, ka miratuar një huamarrje të re prej 1.3 miliardë eurosh. Me këtë huamarrje të re, në total, për vetëm dy vjet, kjo Qeveri e ka futur shtetin në borxh prej 4 miliardë eurosh. Mickoski, për dy vjet, ka krijuar 30 për qind të borxhit të përgjithshëm publik të Maqedonisë që nga pavarësia e saj e deri më sot. Por, ku shkojnë paratë? Të gjitha paratë shkojnë në tenderë partiakë kriminalë. Siç kemi paralajmëruar prej muajsh – në buxhet nuk ka para. Arka është bosh. Prandaj, tani Mickoski po merr një borxh të ri prej 1.3 miliardë eurosh dhe po e rrit borxhin ekzistues nga 2.5 në 4 miliardë euro.”, - deklaroi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
 
Mickoski: Po paguajmë dëmet e LSDM-së
 
Por, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se prodhimi i brendshëm bruto për këtë vit pritet të rritet midis 3.5 deri në 4%. Kalkulimet qeveritare vijojnë pasi Qeveria vijoi me huamarrje të re prej 1.3 miliard euro. Kryeministri Hristijan Mickoski në një deklaratë të tijën theksoi se janë për realizimin e projekteve dhe kthimin e borxheve të vjetra.
 
“Të gjitha huamarrjet janë për financimin e projekteve si ky, si dhe shlyerjen e borxheve të vjetra dhe euro-obligacioneve. Këtë vit na skadon një euro-obligacion prej 700 milionë eurosh, vitin e ardhshëm një tjetër prej 500 milionë eurosh dhe një i tretë prej 700 milionë eurosh në vitin 2028. Gjithashtu, kemi pagesa të interesit dhe një deficit buxhetor për të mbuluar investimet kapitale, të gjitha këto përbëjnë shpenzime të vazhdueshme. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se ne kemi një nga normat më të ulëta të inflacionit në Evropë, kemi rritje të prodhimit të brendshëm bruto dhe shtimit të prodhimit industrial.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
Nga VMRO-DPMNE pretendojnë se kanë stabilizuar ekonominë, kanë sjellë investime, ndërsa inflacioni është më i ulëti në rajon. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU