Rajon
Përplasje në Tiranë, u arrestuan 14 protestues
02.09.2026 16:08
Ditëve paqësore të protestës qytetare në Tiranë, duket se i ka ardhur fundi....

Ditëve paqësore të protestës qytetare në Tiranë, duket se i ka ardhur fundi. Kur kanë kaluar 3 muaj që nga protesta e parë e nisur për projektin e Zvërnecit, qytetarët e nxitur nga organizatorët e protestës tentuan mbrëmë bllokimin e hyrjes së Kryeministrisë, në një kohë kur në zyrë ndodhej Edi Rama.
Për të paktën 30 minuta policia bëri thirrje që protestuesit të largoheshin nga hyrja e kryeministrisë, si dhe të zhbllokonin lëvizjen e makinave.
Këto thirrje, protestuesit i injoruan. U ulën në rrugë, vijuan bllokimin dhe goditën e shtynë policët.
Efektivët ndërhynë duke i shpërndarë dhe vetëm pasi kishin kaluar dy orë, kryeministri Rama mundi të largohej me masa të shtuara sigurie.
Tensioni u zhvendos në komisariatin numër 3 në Tiranë, me thirrjet e protestuesve për lirimin e të ndaluarve.
Sot, policia njoftoi se arrestoi 14 protestues, mes tyre edhe organizatorë të tubimit. Ata janë nën akuzë për 4 vepra penale, organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme, kundërshtim të punonjësve të policisë, prishje të qetësisë publike dhe bllokim të qarkullimit rrugor. 3 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.
LULJETA NDOKA
