Përplasje e përgjakshme midis shërbimeve sekrete në Kiev, qëlluan njëri-tjetrin, plagosen tre prej tyre
Tensionet janë përshkallëzuar në Kiev pas një përplasjeje të pazakontë...

Tensionet janë përshkallëzuar në Kiev pas një përplasjeje të pazakontë mes dy prej strukturave kryesore të sigurisë së Ukrainës.
Hetues nga Byroja Shtetërore e Hetimit (SBI) dhe komandanti i Qendrës së Operacioneve Speciale “Alpha”, pjesë e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SSU), kanë mbërritur në vendin ku po zhvillohet një përplasje mes Inteligjencës së Mbrojtjes së Ukrainës (DIU) dhe SSU-së.
Sipas burimeve të Ukrainska Pravda, tre pjesëtarë të DIU-së janë plagosur gjatë konfrontimit, transmeton Telegrafi.
Pas përshkallëzimit të situatës, në vendngjarje kanë nisur të mbërrijnë përfaqësues të të dyja strukturave të sigurisë.
Më pas kanë mbërritur edhe hetuesit e SBI-së, ndërsa pjesëtarët e SSU-së dhe DIU-së kanë rënë dakord të shkarkojnë armët, në mënyrë që hetuesit të mund të kryejnë veprimet hetimore.
Zona është izoluar dhe personave të jashtëm nuk po u lejohet hyrja në vendngjarje.
Mbërritja e komandantit të Qendrës së Operacioneve Speciale “Alpha” tregon për nivelin e lartë të ndjeshmërisë së situatës.
Përplasja mes DIU-së dhe SSU-së është veçanërisht e pazakontë, pasi të dyja janë institucione kyçe të sigurisë ukrainase dhe kanë rol të rëndësishëm në luftën kundër Rusisë.
Për momentin, rrethanat që çuan në konfrontim dhe arsyeja e plagosjes së tre pjesëtarëve të DIU-së mbeten të paqarta, ndërsa hetuesit kanë nisur të dokumentojnë incidentin.
