Maqedoni

Kuvend, shqyrtohen një sërë projektligjesh

03.09.2026 12:38

Komisionet parlamentare sot do të shqyrtojnë një sërë ndryshimesh ligjore...

Komisionet parlamentare sot do të shqyrtojnë një sërë ndryshimesh ligjore në ekonomi, financa, shëndetësi, bujqësi, siguri dhe administratë publike. Në fokus janë ligjet për investimet, rezervat e naftës, administratën, bujqësinë, sigurimin shëndetësor, prokurimet publike, pensionet, transportin dhe mjedisin.
 
Në Komisionin për Çështje Ekonomike do të shqyrtohen ligjet për rezervat e naftës, investimet, statistikën, inspektimin e punës dhe zonat zhvillimore teknologjike-industriale. Komisionet për Sistem Politik dhe për Mbrojtje dhe Siguri do të diskutojnë ndryshime në ligjet për administratën publike, ekzekutimin e sanksioneve, informacionet e klasifikuara dhe menaxhimin e krizave.
 
Ndërkohë, Komisioni për Bujqësi do të shqyrtojë mbështetjen financiare për bujqësinë dhe sigurinë ushqimore.
 
Në Komisionin për Shëndetësi janë ndryshimet në ligjet për sigurimin shëndetësor, barnat dhe mbrojtjen nga rrezatimi. Komisioni për Financim dhe Buxhet do të shqyrtojë Projektligjin për Revizionin Shtetëror, si dhe ndryshimet në prokurimet publike, Administratën Doganore dhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike.
 
Në agjendë janë edhe ndryshimet në ligjet për planifikimin urbanistik, mjedisin, transportin, pensionet dhe sigurimin social, ndërsa Komisioni për Kulturë do të shqyrtojë ndryshimet në Ligjin për Përdorimin e Gjuhës Maqedonase.