Botë
Të shtëna me armë në Minneapolis, 2 të vrarë dhe disa të plagosur
03.09.2026 13:32
Dy persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur...

Dy persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur, mes tyre tre efektivë policie, pas të shtënave me armë në një ndërtesë apartamentesh në qendër të Minneapolis, në ShBA.
Sipas policisë, edhe i dyshuari për sulmin është gjetur i vdekur.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të shmangin zonën pranë Loring Park, në afërsi të qendrës së konventave të qytetit, ndërsa vijonte operacioni policor. Qendra Mjekësore Hennepin njoftoi se shtatë persona janë transportuar në spital, ndërsa deri tani nuk janë bërë të ditura detaje për gjendjen e tyre shëndetësore.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë forca të shumta policie me armët e drejtuara drejt një ndërtese shumëkatëshe, ku dyshohet se ishte përqendruar operacioni. Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi mënyrën se si nisën të shtënat apo motivin e mundshëm të sulmit. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
