Maqedoni

Edicioni i 11-të i Simpoziumit të Artit Figurativ, Struga bashkoi artistë nga vendi dhe bota

03.09.2026 14:08

Në Strugë u mbajt edicioni i 11-të i Simpoziumit të Artit Figurativ...

Në Strugë u mbajt edicioni i 11-të i Simpoziumit të Artit Figurativ, i cili për pesë ditë me radhë mblodhi artistë nga vendi dhe rajoni. Pjesëmarrësit vlerësuan organizimin, mikpritjen dhe bukuritë e Strugës, të cilat shërbyen edhe si frymëzim për krijimtarinë e tyre.
 
“Është kënaqësi e madhe që të jemi pjesë e këtij simpoziumi. Për hir të së vërtetës, unë kam qenë në fillesën e simpoziumit të parë të Strugës dhe kam mbajtur gjithmonë kujtime për njerëzit dhe një emocion shumë, shumë të bukur.”, - theksoi piktori nga Shqipëria, Sajmir Strati. 
 
“Organizatorët janë fantastikë. Çdoherë që kam qenë këtu kam kaluar shumë mirë. Është një eksperiencë me kolegë të tjerë që nuk i kam parë më herët, si dhe është shkëmbim i përvojave dhe i teknikave të llojllojshme. Kështu që, në të ardhmen, besoj se do të kemi përsëri bashkëpunim.”, - u shpreh një piktor nga Kosova.
 
“Personalisht për Strugën kam dëgjuar, por asnjëherë nuk e kisha parë. Vërtet është një bukuri e fshehur dhe uroj që dalëngadalë të dalë çdoherë në sipërfaqe, që rrjedha që i ka marrë shpinë të zbresë në detin e gjithë shqiptarëve, për të parë sa bukur është.”, - theksoi Fatmir Juka nga Shkodra.
 
Sipas organizatorëve, edicioni i sivjetmë përfundoi me sukses, ndërsa artistët pjesëmarrës u shprehën të kënaqur me organizimin, mikpritjen dhe bukuritë që ofron Struga.
 
“Me ngjyra dhe bukuri përfundoi krejt aktiviteti pesëditor në Strugë, një simpozium që tashmë është traditë për Strugën prej 11 vjetësh. U bë pak më vonë se vitet e kaluara. Besoj që të gjithë, nga gjithë fjalët që thanë, janë të kënaqur.”, - deklaroi organizatorja, Teuta Imeri. 
 
“Organizuam 10-vjetorin e simpoziumit në Galerinë Nacionale në Shkup. Shpresoj që edhe ky, Simpoziumi i 11-të, të prezantohet në Galerinë Nacionale.”, - u shpreh drejtori i Galerisë Nacionale në Shkup, Ali Sinani.
 
Edicioni i 11-të i Simpoziumit u përmbyll pas pesë ditësh aktivitetesh artistike me një ekspozitë, ku u prezantuan punimet e realizuara nga artistët pjesëmarrës gjatë qëndrimit të tyre në Strugë.
 
FITORE ISTREFI