Maqedoni
Financa, Koçovska: Rritje 4.3%, inflacioni në 2.3%
03.09.2026 14:44
Ekonomia e Maqedonisë së Veriut është rritur për 4.3 për qind në tremujorin e dytë të vitit...

Ekonomia e Maqedonisë së Veriut është rritur për 4.3 për qind në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vlerëson ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska. Sipas saj, pas kësaj rritjeje qëndrojnë investimet, eksporti, konsumi dhe aktiviteti në disa sektorë të ekonomisë.
“Pas rritjes prej 4.3 për qind qëndrojnë aktiviteti i fuqishëm investues, rritja dyshifrore e eksportit, rritja e konsumit dhe zhvillimet pozitive në disa veprimtari të rëndësishme ekonomike.”, - deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, investimet bruto janë rritur realisht për 16.5 për qind, ndërsa eksporti i mallrave dhe shërbimeve është rritur për 10.4 për qind.
Rritje të fortë ka shënuar edhe ndërtimtaria, me 21.9 për qind, ndërsa industria përpunuese dhe tregtia, transporti e hoteleria janë rritur për nga 4.1 për qind. Ministrja e Financave thekson se me këtë rezultat, Maqedonia e Veriut renditet e pesta në mesin e vendeve evropiane për të cilat janë publikuar të dhënat.
“Rritja prej 4.3 për qind është dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian prej 1.2 për qind dhe eurozonës prej 1 për qind. Ekonomia maqedonase po përshpejton, pavarësisht mjedisit të jashtëm sfidues. Kemi rritje ekonomike, ndërsa në të njëjtën kohë kemi edhe ulje të inflacionit dhe qetësim të presioneve të çmimeve.”, - theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.
Paralelisht me rritjen ekonomike, ministrja theksoi edhe uljen e inflacionit. Norma vjetore nga 4.8 për qind në maj, ra në 3.4 për qind në qershor dhe në 2.3 për qind në korrik.
Nga Qeveria thonë se synimi mbetet që rritja ekonomike të përkthehet në standard më të lartë jetese, më shumë investime dhe mundësi për kompanitë.
ABIBE QAILI
