Maqedoni
Hungaria kundër integrimit të përshpejtuar, Mickoski: Qëndrimi s’lidhet me Ballkanin Perëndimor
03.09.2026 15:20
Deklarata e kryeministrit hungarez, Peter Magjar, se vendit i tij s’do të mbështesë...

Deklarata e kryeministrit hungarez, Peter Magjar, se vendit i tij s’do të mbështesë integrim të përshpejtuar për vendet aspirante pa plotësuar kushtet, komentohet nga kryeministri Hristijan Mickoski.
Ai fuqishëm beson se qëndrimi i homologut të tij hungarez nuk ka për shënjestër vendet aspirante të rajonit. Mbetet i sigurt në mbështetjen e shtetit hungarez për zgjerim të Unionit.
“Jam i bindur se kolegu Magjar atë që ka thënë nuk e ka menduar për Ballkanin, pasi që nga zgjedhja e tij si kryeministër i partnerit tonë strategjik, Hungarisë, ka dhënë disa dhjetëra deklarata në të cilat thotë se mbështetja për Ballkanin Perëndimor, pjesë e të cilit jemi edhe ne gjeografikisht, për anëtarësimin në Bashkimin Evropian është e qartë dhe e sinqertë dhe se ajo asnjëherë nuk është vënë në pikëpyetje. Mendoj se ai i referohet vendeve të tjera kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Hetimi i kredisë hungareze nga pushteti hungarez, Mickoski: S’kam frikë, ishte hua transparente
Mickoski me qëndrim edhe për hetimin eventual të kredisë hungareze, të cilën shteti ynë e mori në dakordim me Qeverinë e Orbanit. Duke u shprehur i qetë nga kjo hua, shefi i ekzekutivit shtoi se çështja në fjalë është punë e brendshme e Hungarisë.
“Supozoj se institucionet e Hungarisë do ta kryejnë punën e tyre dhe do të dalin me një njoftim lidhur me atë kredi. Dhe pyetja e dytë, a kam frikë? Absolutisht nuk kam frikë, sepse e gjithë kjo është pjesë e partneritetit tonë strategjik, i konfirmuar nga të dyja parlamentet dhe të dyja qeveritë. Mjetet janë shpenzuar në mënyrë transparente. Shpreh mirënjohjen time ndaj Hungarisë, e cila, si partneri ynë strategjik, në kohën kur po luftonim për ta nxjerrë shtetin nga falimentimi për shkak të borxheve që trashëguam nga qeveria banditeske e LSDM-së dhe BDI-së, ishte e para që na zgjati dorën.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Kryeministri hungarez edhe disa herë ka deklaruar se Maqedonisë së Veriut i është dhënë kredi me një normë të ulët interesi dhe me kushte shumë të favorshme, ndaj sipas tij, duhet hetuar.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
