Maqedoni
Ethet e Nilit Perëndimor, regjistrohet viktima e shtatë, 19 pacientë të hospitalizuar
03.09.2026 15:38
Regjistrohet viktima e shtatë në vend nga ethet e Nilit Perëndimor...

Bëhet fjalë për një 69-vjeçar nga Komuna e Gazi Babës në Shkup, i cili për më shumë se një muaj ishte i hospitalizuar.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, njoftoi se gjatë ditëve të fundit është evidentuar edhe një rast i ri i dyshimtë, ndërsa numri i pacientëve të hospitalizuar mbetet 19. Rastet e reja janë përqendruar në pjesën veriore të Shkupit, ku autoritetet u kanë bërë thirrje komunave të rrisin vëmendjen ndaj masave parandaluese.
“Sa i përket gjendjes me ethet e Nilit Perëndimor, që nga informimi im i fundit kemi një person të vdekur. Bëhet fjalë për pacientin, i cili ishte i hospitalizuar për kohën më të gjatë, mbi 38 ditë në spital. Kemi edhe një rast të ri të dyshimtë gjatë këtyre tre ditëve nga informimi i fundit. Në thelb, gjatë kësaj jave, përkatësisht gjatë ditëve të fundit, që nga fundjava e deri tani, të gjitha rastet e reja janë nga Shkup Veriu. Pra, numri i pacientëve të hospitalizuar është i njëjtë, mendoj se janë 19 pacientë, pasi kemi vetëm një rast të ri të dyshimtë.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Lidhur me faktin se të gjitha viktimat e regjistruara deri tani janë meshkuj, Klekovski shpjegoi se rreziku për zhvillimin e formës së rëndë të sëmundjes dhe vdekshmëria janë më të larta te meshkujt.
“Studimi më i madh është kryer në Amerikë, mbi më shumë se 3.000 raste. Në atë studim është e qartë se si morbiditeti, gjegjësisht shkalla e sëmundjes me formën neuroinvazive, ashtu edhe vdekshmëria janë më të larta te meshkujt. Pra, tek ne morbiditeti është 3,7: 1 në raportin meshkuj - femra. Kjo është një karakteristikë demografike.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Autoritetet shëndetësore vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa komunave u është bërë thirrje për forcimin e masave parandaluese ndaj përhapjes se etheve të Nilit Perëndimor.
FARIJE DAUTI BAKIU
