Maqedoni
Vazhdon lufta me zjarret në vend, 13 zjarre në ambient të hapur, dy ende aktive
03.09.2026 15:56
Vazhdon lufta me zjarret në vend...

Gjatë ditës janë regjistruar 13 vatra zjarri në ambient të hapur, dy prej të cilëve vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa gjashtë janë nën kontroll dhe pesë janë shuar. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, një nga zjarret aktive është në malin Bistra, në zonën e Kirilovecit, në territorin e Mavrovës dhe Rostushës, ndërsa zjarri tjetër është ndërmjet fshatrave Oktisi dhe Belica në Strugë, ku digjen bar i thatë dhe kashtë.
Zjarre nën kontroll raportohen edhe në Zelenikovë, Saraj, Çuçer-Sandevë, Gjorçe Petrov dhe disa zona të Strugës, kryesisht në pyje dhe vegjetacion të ulët. Ndërkohë, pesë zjarre janë shuar, përfshirë ato në Vizbeg, Mavrovë dhe Rostushë, Prilep, Strugë dhe Veles.
Zjarret e shuar janë regjistruar në disa komuna, ku kanë djegur pyje me drunj të ulët dhe pisha, vegjetacion të ulët, plepa kanadezë, bar i thatë- sanë, shkurre dhe deponi . Autoritetet vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në terren për të parandaluar përhapjen e zjarreve.
Përmasat e problemit bëhen edhe më të qarta nga bilanci i tre muajve të verës. Nga 1 qershori deri më 31 gusht 2026, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 1.696 zjarre në ambiente të hapura.
Prej tyre, 69 kanë qenë zjarre pyjore, ndërsa pjesa tjetër kanë përfshirë bar të thatë, kashtë, vegjetacion të ulët, pyje të degraduara dhe deponi.
Megjithëse bilanci i 24 orëve të fundit tregon një situatë më të qetë se ditët e mëparshme, përsëri lufta me zjarret vazhdon të jetë një sfidë për ekipet e zjarrfikësve, të cilët ndodhen ende në terren për të shuar vatrat aktive të zjarrit.
FARIJE DAUTI BAKIU
