Maqedoni

Zhbllokohet donacioni për hemofilinë, pas muajsh pritjeje, terapia jetike mbërrin në klinika

03.09.2026 16:32

Pas muajsh pritjeje, zhbllokohet donacioni i ilaçeve për pacientët me hemofili...

Pas muajsh pritjeje, zhbllokohet donacioni i ilaçeve për pacientët me hemofili, me vlerë prej rreth 500 mijë dollarësh. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, njoftoi se pas tejkalimit të pengesave administrative dhe procedurave doganore, dërgesa prej 1.2 milionë njësish të terapisë “Faktor 8” është zhbllokuar plotësisht.
 
Terapia tashmë është në dispozicion për t’u shpërndarë në klinika, ndërsa nga institucionet thonë se do të sigurohet vazhdimësia e trajtimit për pacientët që kanë nevojë për të.
 
“Ne kemi nevojë për këtë terapi për pacientët tek të cilët planifikohet ndërhyrje kirurgjikale zgjedhore. Për të gjitha rastet emergjente, instituti disponon medikamentet e nevojshme. Ky donacion do të përdoret për pacientët që kanë të planifikuara ndërhyrje zgjedhore, qoftë procedura dentare apo ndërhyrje të tjera kirurgjikale. Te pacientët me hemofili, jo vetëm ndërhyrja, por edhe rehabilitimi dhe trajtimi i mëtejshëm kërkojnë sasi të konsiderueshme të terapisë.”, - deklaroi drejtori i Institutit për Mjekësi Transfuzive, Amir Elezi.
 
Përfaqësuesit e pacientëve e kanë mirëpritur zhbllokimin e donacionit, duke theksuar se vonesa disamujore kishte krijuar pasiguri për personat me hemofili A. Ata thonë se Faktori 8 është terapi e domosdoshme, ndërsa nevojat e pacientëve shkojnë përtej sigurimit të barnave.
 
“Kemi shumë persona me aftësi të kufizuara që kanë nevojë për sasi të mëdha të Faktorit 8 dhe për ndërhyrje kirurgjikale. Kemi nevojë edhe për proteza, fizioterapi dhe mbështetje të tjera. Me teknologji dhe metoda të reja mund ta bëjmë jetën e personave me hemofili më të lehtë.”, thanë nga Shoqata e Personave me Hemofili “Lidhja e Gjakut”.
 
Nga shoqata “Lidhja e Gjakut” kërkojnë që zhbllokimi i donacionit të mos shënojë fundin e angazhimit institucional. Ata kërkojnë që nevojat e pacientëve të përfshihen drejtpërdrejt në planifikimin e buxhetit për hemofilinë, duke përfshirë terapitë e reja, ndërhyrjet kirurgjikale, rehabilitimin, fizioterapinë dhe pajisjet ndihmëse.
 
FARIJE DAUTI BAKIU