Paralelja shqipe në Shkollën Fillore “Penko”, AKI: Problemi me regjistrimin mbetet i pazgjidhur
03.09.2026 16:55
Këshilltarët komunalë të AKI-së...

Këshilltarët komunalë të AKI-së në Komunën e Butelit kanë adresuar sërish kritika për situatën me regjistrimin e nxënësve në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski - Penko”.
Sipas tyre, problemi në thelb mbetet i pazgjidhur, pasi në këtë shkollë, sipas tyre, regjistrohen vetëm nxënësit që kanë vëlla ose motër të regjistruar më herët në këtë shkollë, ndërsa të tjerët mbeten të përjashtuar.
Për këtë arsye, ata i bënë thirrje zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmanit, të zbatojë nenin 7 të vendimit për rajonizimin e shkollave, përmes të cilit, sipas tyre, ky problem do të tejkalohet dhe nuk do të pengohet asnjë nxënës për t’u regjistruar.
“Regjistrimi i nxënësve u realizua vetëm pjesërisht, duke u bazuar në kriterin e vetëm të faktit nëse nxënësi kishte motër ose vëlla të regjistruar në paralelet e kësaj shkolle. Prandaj, kërkojmë të zbatohet neni 7 i Vendimit për rajonizimin e shkollave, i cili përcakton qartë se mund të regjistrohen nxënës edhe nga komuna tjera, por që janë në rajonin ku gjendet shkolla. Zëvendësministër, a e kuptoni se çfarë dëmi u keni shkaktuar nxënësve shqiptarë në Komunën e Butelit?!”, - deklaroi këshilltari i AKI-së në Komunën e Butelit,
Linkest Lumani.
Sulejmani: Asnjë paralele nuk është mbyllur
Akuzat e tilla i hodhi poshtë zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani. Ai tha se, përmes ndërhyrjes dhe koordinimit institucional, deri tani janë regjistruar mbi 30 nxënës, vëllezërit ose motrat e të cilëve tashmë ndjekin mësimin në këtë shkollë.
Sulejmani hodhi poshtë edhe pretendimet se në shkollën “Petar Zdravkovski – Penko” është mbyllur një paralele në gjuhën shqipe. Sipas tij, si vitin e kaluar, ashtu edhe këtë vit, në shkollë funksionojnë katër paralele në gjuhën shqipe, me përafërsisht të njëjtin numër nxënësish.
“Pretendimet se këtë vit është mbyllur një paralele në gjuhën shqipe nuk përputhen me dokumentacionin zyrtar. Vitin e kaluar kanë funksionuar katër paralele dhe po aq funksionojnë edhe këtë vit. Ndërkohë, pas koordinimit institucional, janë regjistruar mbi 30 fëmijë nga Çairi. Me organizimin e mbi 30 fëmijëve nga Çairi dhe organizimin e katër paraleleve me numër të balancuar nxënësish, çështja për të cilën ndërhyri ministria është zgjidhur dhe procesi mësimor zhvillohet normalisht.”, - theksoi zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani.
Sulejmani njëherësh u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve të institucioneve publike që paqartësi të tilla në të ardhmen të adresohen me kohë dhe përmes komunikimit institucional, në mënyrë që fëmijët dhe familjet e tyre të mos përballen me situata të tilla.
Ndërkohë, përfaqësuesve politikë u bëri thirrje të mos i keqpërdorin raste të tilla për përfitime politike, pasi, sipas Sulejmanit, arsimi nuk duhet të partizohet.
REXHEP QAMILI
