Botë
Sulme të reja ruse ndaj Ukrainës, Trump: Takim me Putinin, kur të krijohen kushtet
03.09.2026 17:42
Kievi sërish nën zjarrin e ashpër rus...

Dhjetëra persona janë plagosur në valën e fundit të sulmeve, ndërsa alarmet ajrore u dëgjuan edhe në Ternopil dhe Odesa.
“Po flinim me fëmijën tim. Valë shpërthyese na hodhi përmes dritares dhe, siç mund ta shihni, depërtoi edhe këtu. Fëmija ka disa prerje, ndërsa edhe unë jam e plagosur.”, - tha banorja e Odesës, Marina.
Pas një jave sulmesh intensive me dronë dhe raketa balistike, Ukraina po ndryshon masat për mbrojtjen e civilëve, duke përshtatur sistemin e alarmit ajror me taktikat e reja ruse.
Ndërkohë, Zelenskyy konfirmoi ndihmë të re ushtarake nga Gjermania dhe paralajmëroi se kërcënimi nga dronët tashmë po ndikon edhe në trafikun ajror në Rusi.
“Gjermania do të dërgojë raketa shtesë për mbrojtjen tonë kundërajrore, dhe kancelari ma konfirmoi këtë. Ndërkohë, kompanitë e para ajrore kanë filluar të anulojnë fluturimet drejt aeroporteve ruse për shkak të kërcënimit real nga dronët në hapësirën ajrore ruse.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ndërkohë, dronët ukrainas goditën objektiva në rajonin rus të Belgorodit, ku një person humbi jetën dhe u dëmtuan edhe automjete. Në kushtet e tensioneve në rritje, Trump-i vazhdon ta lërë të hapur rrugën diplomatike. Ai thotë se dëshiron një takim me Putinin, por vetëm pasi të krijohen kushtet për një marrëveshje paqeje me Ukrainën.
“Dua ta bëj këtë kur të jemi gati për të arritur një marrëveshje paqeje. Dua ta bëj këtë kur të përfundojë kjo luftë. Dhe mendoj se do ta bëjmë.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Trump.
Putin-i pajtohet me Trump-in, por konsideron se sulmet dhe kërcënimet ukrainase i komplikojnë negociatat dypalëshe.
“Ky problem duhet të zgjidhet mes palëve të përfshira – Rusisë dhe Ukrainës. A ekziston mundësia për këtë? Po, ekziston. Por, sulmet ndaj anijeve civile dhe tregtare, e veçanërisht kërcënimet për sulme ndaj avionëve civilë, e komplikojnë mundësinë për negociata dypalëshe të paqes. Meqë ra fjala, ata që heshtin dhe e injorojnë këtë, mbi të gjitha aleatët perëndimorë të Ukrainës, bëhen bashkëpunëtorë të terrorizmit ndërkombëtar.”, - theksoi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Paralelisht, tensionet e sigurisë po përhapen edhe nëpër Evropë. Pas akuzave të Gjermanisë se Moska qëndron pas përpjekjes për një sulm me dron ndaj aeroportit të Leipzigut, gjë që Rusia e mohon, Danimarka paralajmëroi për përgatitje për sabotime ruse, ndërsa Polonia për zjarre të shkaktuara qëllimisht në fabrikat e komponentëve për dronë.
“Kjo është vazhdimësi e aktiviteteve përshkallëzuese ruse në të gjithë rajonin. Fatkeqësisht, këto nuk janë rastet e para dhe sigurisht nuk do të jenë as të fundit. Javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë një sfidë e madhe për të gjitha vendet në këtë pjesë të Evropës.”, - u shpreh kryeministri i Polonisë, Donald Tusk.
Ndaj rritjes së rreziqeve të sigurisë reaguan Brukseli dhe NATO-ja, duke paralajmëruar një përgjigje të përforcuar.
ARMEND MURSELI
