Maqedoni

Qendra për Menaxhim me Kriza: 31 zjarre në 24 orë, një vatër ende aktive

04.09.2026 14:25

Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e vendit janë regjistruar 31 zjarre...

Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e vendit janë regjistruar 31 zjarre në hapësira të hapura. Prej tyre, 27 janë shuar plotësisht, tre janë vënë nën kontroll, ndërsa një vatër mbetet ende aktive.
 
Situata me zjarret vazhdon të monitorohet nga afër. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, në pjesën më të madhe të territorit situata është nën kontroll. Vatra më problematike mbetet ajo pranë fshatit Graçan, në territorin e komunës së Gjorçe Petrovit, ku ekipet në terren vazhdojnë të jenë në gatishmëri.
 
“Zjarri aktiv është në zonën e fshatit Graçan në territorin e komunës së Gjorçe Petrovit, por aktualisht zjarri është përhapur dhe po zhvillohet në territorin e Republikës së Kosovës në zonë pyjore. 3 zjarret që janë nën kontroll ndodhen në fshatin Kopanicë në komunën e Sarajit, në fshatin Brezë në lokalitetin Ramno në Malin e Zi  të Shkupit, në komunën e Çuçer Sandevës, si dhe ndërmjet fshatrave Burinec dhe Lokov në komunën e Strugës.”, - deklaroi Sara Baruti nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
 
Sa i përket zjarrit në kufi me Kosovën, situata po monitorohet vazhdimisht, edhe pse flakët prej mbrëmë janë vënë nën kontroll. 
 
“Gjendja momentale qysh dje ishte stabile, së bashku me helikopterin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ekipet në terren, situata me zjarrin u vë nën kontroll.”, - theksoi Sara Baruti nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
 
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza vazhdojnë të apelojnë tek qytetarët që të jenë veçanërisht të kujdesshëm dhe të mos ndezin zjarre në hapësirë të hapur, pasi që një pakujdesi e vogël mund të shkaktojë pakujdesi të mëdha. Gjithashtu apelojnë që për çdo vatër zjarri që vënë re, të lajmërohen në numrin për thirrje emergjente 112.
 
ABIBE QAILI