Maqedoni
Reagime për shkollat pa kondicionerë, Janevska: Nuk jemi në fazën portokalli
04.09.2026 15:13
Mungesa e kondicionerëve nëpër klasa dhe temperaturat e larta...

Mungesa e kondicionerëve nëpër klasa dhe temperaturat e larta kanë ngritur shqetësime për kushtet në shkolla, vetëm pak ditë pas fillimit të vitit të ri shkollor. Nga Ministria e Arsimit thonë se për momentin nuk ka fazë portokalli dhe se shkollat nuk duhet të marrin masa në mënyrë të pavarur.
Vendimet, sipas ministres Vesna Janevska, do të merren në përputhje me procedurat, nëse temperaturat kërkojnë masa shtesë. Ajo shpjegon se në rast të shpalljes së fazës portokalli, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente do të ndjekin procedurën e përcaktuar, ndërsa shkollat do të informohen për masat që duhet të ndërmerren.
“Nuk kemi marrë informacion se jemi në fazë portokalli. Edhe unë kontrollova, për momentin janë 28 gradë, që do të thotë se nuk jemi në fazë portokalli. Për këtë ekziston një procedurë. Kur vërtet të jetë e nevojshme, do t’i marrim të gjitha masat. Në faqen e MASh-it janë publikuar masat e nevojshme që duhet të zbatohen. Sot është vetëm dita e tretë e vitit shkollor dhe nuk duhet të shqetësohen as nxënësit, as prindërit, as drejtorët dhe mësuesit, që të marrin vetë masa.”, - deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
FARIJE DAUTI BAKIU
