Maqedoni
U prezantuan dy ekspozita në “Çifte Hamam”, arti bashkon ngjyrat dhe emocionet
04.09.2026 16:07
Një mbrëmje kushtuar artit pamor u zhvillua mbrëmë në “Çifte Hamam” në Shkup...

Një mbrëmje kushtuar artit pamor u zhvillua mbrëmë në “Çifte Hamam” në Shkup, ku publiku pati mundësi të shohë dy ekspozita të veçanta. “Mesazh në shishe” titullohet ekspozita e artistit të njohur tashmë ndërkombëtarisht, Saimir Strati.
30 mozaikë të realizuara me materiale të çuditshme, kokrra kafeje dhe groshe, vida, bulona dhe gjëra të tjera të përdorimit të përditshëm. Jo rastësisht ai mbart 11 Rekorde Guinnes dhe është nderuar edhe me titullin “Ambasador i Kombit”.
“Ekspozita nuk është e bërë vetëm me një material. Ka materiale të ndryshme, por emocioni i njëjti. Kjo është dëshira që unë kam pasur, edhe pse ne jemi të ndryshëm, dashuria është e njëjtë.”, - deklaroi artisti i Mozaikut, mbajtës i 11 rekordeve Guinness, Saimir Strati.
“Inspirim” titullohej ekspozita e dytë me punimet e artisteve nga Kosova: Merita Myderrizi-Maloku, Bardha Buza dhe Vjosa Bujari-Maliqi. Veprat e tyre trajtojnë tema të natyrës, kujtesës dhe emocioneve njerëzore, ndërsa përdorimi i ngjyrës, dritës, formës dhe abstraksionit krijon një interpretim të veçantë të realitetit.
“Nuk jemi asnjëra të përafërta me stilin. Secila me mënyrën e vet është shprehur në punët e veta.”, - theksoi artistja vizuale, Bardha Buza.
“Secila punojmë në mënyrën tonë, stilin tonë, teknika të ndryshme, por na lidh arti, dëshira për të qenë bashkë për të bukurën dhe zakonisht jemi bashkë.”, - u shpreh piktorja, Merita Maloku.
“Teknikat, ani pse kemi tema të ndryshme apo trajtojmë gjëra të ndryshme, koordinohemi shumë lehtë.”, - theksoi piktorja, Vjosa Bujari Maliqi.
Dy ekspozitat dëshmuan se arti, me gjithë format e ndryshme të tij, sërish mund të gjejë vend në të njëjtën hapësirë duke të dhënë po të njëjtin emocion kur e shijon.
“Në këto ditë të nxehta vere, këto dy ekspozita të mrekullueshme, sikur të gjithë këta artdashës që kanë ardhur sonte u rifreskuan me stile të veçanta.”, - u shpreh piktori, njëkohësisht profesor universitar, Burhan Ahmeti.
“Bardha, Merita dhe Vjosa në frymët e tyre moderne abstrakte prezantojnë, dëshmojnë se janë njohëse të mira të pikturës.”, - theksoi piktori, njëkohësisht profesor universitar, Bashkim Mexhiti.
Drejtori i Galerisë Nacionale, Ali Sinani, premton vazhdimin e mbrëmjeve të tilla me emra të njohur në këtë galeri.
ARDITA RAMADANI
