Botë
Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së: Liri për ish-krerët e UÇK-së më 16 shtator
04.09.2026 16:29
Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së...

Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së presin që vendimi gjyqësor i Gjykatës Speciale në Hagë i 16 shtatorit të jetë lirues për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, njëherësh ka theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ajo që e ka sjellë lirinë dhe kur preket në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, preket në lirinë e Kosovës.
“Kjo konferencë është njoftim për organizimin për pritjen e verdiktit përfundimtar të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që pothuajse gati gjashtë vite po mbahen padrejtësisht atje nga Gjykata Speciale, siç e kemi thënë edhe më herët, krejtësisht politike, me tendenca dhe qëllime për ta njollosur luftën e lavdishme, të drejtë dhe të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me tendenca për të barazuar luftën tonë të drejtë e të pastër, sidomos për të ardhur deri te liria, dhe formën për ta atakuar dhe për ta goditur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”, - deklaroi kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari.
Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, njëherësh kanë mbështetur organizimin e protestës më 12 shtator, e cila do të mbahet në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, në mbështetje të çlirimtarëve.
GYLTENE SINANI
