Ministria e Arsimit, masa të reja kundër dhunës, ndryshime ligjore dhe kontrolle nëpër shkolla
04.09.2026 16:09
Përshkallëzimi i dhunës mes të rinjve dhe ngjarjet...

Përshkallëzimi i dhunës mes të rinjve dhe ngjarjet e përgjakshme që po tronditin rrugët e vendit kanë vënë alarmin e kuq në nivel shtetëror, duke detyruar institucionet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm.
Përballë një situate gjithnjë e më shqetësuese, Ministria e Arsimit dhe Shkencës po përgatit një paketë masash radikale për të ndalur valën e agresionit mes bashkëmoshatarëve dhe për të ndërtuar një mjedis të sigurt në shkolla.
Sipas ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në qendër të këtij plani nuk janë më vetëm fjalët, por veprimet konkrete ligjore e administrative.
“Parashikuam një numër jashtëzakonisht të madh aktivitetesh për luftimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve. Kjo është Qeveria e parë që i kushtoi kaq shumë vëmendje këtij fenomeni. Ndërmorëm projekte dhe ndryshime ligjore, si dhe ndryshime në shkolla sa i përket orarit të mësuesve dhe kujdesit për nxënësit, madje edhe gjoba për prindërit, fëmijët e të cilëve përsërisin dhunën mes bashkëmoshatarëve.”, - deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
Plani parashikon gjithashtu bashkëpunim të ngushtë me pushtetin lokal. Janevska konfirmoi se bisedimet me shërbimet e Qytetit të Shkupit po vazhdojnë, me synim që së shpejti të bashkërendohen hapat direkt me udhëheqjen e qytetit.
“Këto do të jenë projekte të vazhdueshme, në mënyrë që të mos jenë thjesht projekte për hir të projekteve, por të vendosim një sistem të qëndrueshëm që do të veprojë në mënyrë të vazhdueshme për parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve.”, - theksoi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
Lëvizja e institucioneve vjen si reagim ndaj ngjarjeve tronditëse që kanë prekur së fundmi opinionin publik. Vetëm pak ditë më parë, lagja Çair u kthye në arenë të një përleshjeje të egër mes pesë personave, ku u përdorën thika dhe shkopinj bejsbolli.
Nga përleshja mbetën të plagosur tre persona, mes të cilëve edhe një 13-vjeçar i goditur me thikë në zemër. Ai i është nënshtruar një operacioni urgjent në Klinikën Universitare në Shkup dhe, ndonëse gjendja e tij është stabilizuar, mjekët e konsiderojnë ende kritike për jetën.
FARIJE DAUTI BAKIU
