AKI: VLEN-i nuk i mbështet projektet shqiptare në Shkup
04.09.2026 16:09
Këshilltarët e AKI-së në Qytetin e Shkupit thonë se shtatë amendamente të propozuara...

Këshilltarët e AKI-së në Qytetin e Shkupit thonë se shtatë amendamente të propozuara prej tyre, që lidhen me Çairin, Sarajin, Nerezin e Epërm, pacientët onkologjikë, personat me nevoja të veçanta dhe shkollat e prekura nga stuhia, janë votuar dhe mbështetur edhe nga këshilltarët e partive të tjera.
Ata akuzojnë këshilltarët e VLEN-it se nuk i mbështesin projektet shqiptare në Qytetin e Shkupit. Njëherësh kërkojnë që të ndahen mjetet për fillimin e punimeve të bulevardit “Hasan Prishtina”, si dhe të përmirësohet përfaqësimi i shqiptarëve në bordet drejtuese dhe mbikëqyrëse të ndërmarrjeve dhe institucioneve në kuadër të Qytetit të Shkupit.
“Jemi kundër prekjes së 8 milionë eurove mjete të dedikuara për bulevardin “Hasan Prishtina” dhe qytetarët dhe bizneset kanë pritur shumë për këtë rrugë. Ne dhamë mund dhe djersë që asaj rruge t’i ndahen këto mjete dhe apelojmë deri te kryetari i Qytetit të Shkupit që sa më parë të fillojë ndërtimi i këtij bulevardi. Nga 139 anëtarë të bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse të ndërmarrjeve dhe institucioneve në Qytetin e Shkupit vetëm 23 janë shqiptarë, pra diku rreth 15 për qind. Në disa borde madje nuk ka asnjë shqiptar, ky nuk është përfaqësim i drejtë dhe adekuat dhe ne do të kërkojmë korrigjimin e menjëhershëm të kësaj gjendjeje.”, - deklaroi koordinatori i grupit të këshilltarëve të AKI-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Abduselam Selami.
VLEN: Projektet janë pjesë e programit, AKI bën propagandë
Ndaj këtyre akuzave reaguan menjëherë këshilltarët e VLEN-it në Qytetin e Shkupit. Ata hedhin poshtë pretendimet e AKI-së, duke thënë se VLEN-i vazhdimisht mbështet, voton dhe realizon projekte konkrete zhvillimore, përmes të cilave kryeqyteti, përfshirë edhe vendbanimet shqiptare, po bëhet më funksional dhe më i zhvilluar.
“Pas katër ditësh, këshilltarët e AKI-së në Qytetin e Shkupit dolën sot të lavdërohen për amendamentet që janë diskutuar në seancën e 31 gushtit. Por, faktet janë krejt ndryshe. Këto amendamente nuk janë mbështetur sepse projektet për të cilat flet AKI-ja tashmë janë pjesë e programit të VLEN-it dhe për to ekzistojnë marrëveshje konkrete. Projektet do të realizohen sipas radhës dhe prioriteteve, e jo përmes amendamenteve të përgatitura vetëm për propagandë politike. Për më tepër, administrata e Qytetit të Shkupit ka konstatuar se një pjesë e amendamenteve nuk janë teknikisht të rregullta, fakt ky që tregon se të njëjtat janë përgatitur shkel e shko, vetëm sa për të përfituar pikë politike.”, thuhet në reagimin e këshilltarëve të VLEN-it në Këshillin e Qytetit të Shkupit.
Sipas tyre, numri i anëtarëve të bordeve është ulur pikërisht për të ndaluar shpenzimet e panevojshme. Këshilltarët e VLEN-it potencuan se në disa ndërmarrje anëtarët e bordeve janë paguar çdo muaj, ndërsa bordet nuk kanë mbajtur asnjë mbledhje, ose kanë mbajtur vetëm një gjatë gjithë vitit.
Ndërkohë, para tre ditësh, Këshilli i Qytetit të Shkupit votoi projektin e ri infrastrukturor për Sarajin, ku do të ndërtohet një urë e re. Qyteti i Shkupit tashmë ka nisur procedurën për projektin, i cili parasheh ndërtimin e një ure dhe një rrethrrotullimi.
Sipas autoriteteve, ura do të ndërtohet rreth 200 metra larg semaforëve të fundit. Projekti përfshin një rrethrrotullim me dy korsi dhe një urë çeliku, me gjatësi prej 110 metrash.
REXHEP QAMILI
