Huaja e re, Mickoski: E marrim për t’i shlyer borxhet e Qeverisë paraprake
04.09.2026 16:09
Huaja e re prej 1.3 miliardë euro merret për t’i shlyer borxhet e qeverisjes paraprake...

Huaja e re prej 1.3 miliardë euro merret për t’i shlyer borxhet e qeverisjes paraprake nga LSDM dhe BDI, ripotencon kryeministri Hristijan Mickoski, duke i quajtur njëherësh edhe vjedhësit më të mëdhenj të popullit dhe aktualisht, opozitë banditeske.
“Teza e dytë, pse vendimi i Qeverisë i 31 gushtit për huamarrje në tregun ndërkombëtar nuk ishte parashikuar në rishikimin e buxhetit, është sepse synohet të emetohet një euroobligacion vitin e ardhshëm, në mënyrë që të mund t’i kthejmë borxhet e tyre, me të cilat e vidhnin popullin dhe i zbraznin fjalë për fjalë institucionet dhe ministritë…E tillë është opozita që kemi sot në Maqedoni. Pra, një opozitë banditeske, e cila vazhdon të jetë vazhdimësi e një pushteti banditesk, në periudhën kur LSDM-ja dhe BDI-ja ishin në Qeveri në Maqedoni.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
LSDM: Mickoski manipulon, s’ka para në buxhet
Por, socialdemokratët thonë se Qeveria po përpiqet të justifikohet me gënjeshtra dhe manipulime të reja, pasi LSDM-ja publikoi dokumentin për huamarrjen e re të qytetarëve prej 1.3 miliardë eurosh, dhe me këtë shtojnë se opozita demaskon gënjeshtrat e tyre.
“Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, në borxhin publik, deri në qershor të vitit 2026, nuk është përfshirë borxhi i ri prej 350 milionë eurosh i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore. Pra, Kocovska dhe Mickoski po e manipulojnë borxhin publik. Por, siç duket, Kocovska po shkel edhe Ligjin për Borxhin Publik, ku thuhet se në borxhin publik përfshihet edhe borxhi i garantuar i ndërmarrjeve publike dhe shoqërive aksionare të themeluara nga shteti. Borxhi i NPRSh-së është fshehur dhe nuk figuron në tabelën e fundit për qershorin e këtij viti, sepse me përfshirjen e tij borxhi do të ishte tashmë mbi 11 miliardë euro.”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Opozita insiston se Qeveria e Mickoskit nuk ka para në Buxhet dhe nuk mund ta mbyllë as këtë vit fiskal pa një huamarrje të re, ndërkaq, sipas tyre, situata mund të rëndohet edhe më tej deri në fund të vitit me borxhe të reja, ku aktualisht Qeveria po negocion me disa kreditorë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
