Rexhallari eliminohet në çerekfinale të Lojërave Evropiane
Jasin Rexhallari është eliminuar në çerekfinalen e Lojërave të para Evropiane në Baku...

Mundësi shkupjan, në kategorinë deri në 61 kilogram, pati dy paraqitje shumë të mira, të cilat në fund i kurorëzoi me një fitore e humbje, duke u plasuar kështu në mesin e tetë mundësave më të mirë në Europë.
Fillimisht, në kuadër të 1/8`ës së finales, Rexhallari, u takua me mundësin nga Polonia, Kristof Bienkovski, të cilin pas një beteje të vërtet, e mundi me rezultat të ngushtë prej 5-4 në pikë. Në raundin e ardhshëm, 22 vjeçari u takua me bullgarin, Radosllav Velikov, kampion i mëparshëm botëror dhe i bronztë në olimpiadën e Pekinit.
Edhe ndaj tij, Rexhallari u mbajt shumë mirë, por fal vetëm një gabimi të vogël, humbi me 3-1 në pikë, duke u eliminuar. Velikov, në gjysëmfinale humbi nga gjeorgjiani Lomtadze, kështu që Jasin Rexhallari mbeti me plasmanin në mesin e tetë mundësave më të mirë.
Nga ana tjetër, dy përfaqësuesit tjerë të Maqedonisë, Boban Danov dhe rusi Halil Zubairov, u eliminuan që në raundin e parë. Danov, në kategorinë deri në 125 kilogram, me superioritet teknik u mund nga gjeorgjiani Petriashvili, ndërsa Zubairov, fal një gabimi fatal dy sekonda para mbylljes të luftës, u eliminua nga polaku Marsinkievicz.
Paraqitjen e tij me një humbje, por që në fazën kualifikuese, e regjistroi edhe mundësi i Shqipërisë, Egzon Shala. Ai, u mposht nga rumuni Chintoan. (Mustafa Ademi, TVM2)
