Botë

Ukrainë, sulmet ndaj depove rrezikojnë ndihmat mjekësore

04.09.2026 16:51

Një sulm ajror gjatë natës ka dëmtuar një nga depot kryesore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë...

Një sulm ajror gjatë natës ka dëmtuar një nga depot kryesore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në rajonin e Kievit, ku ruhen furnizime mjekësore humanitare. OBSh-ja thotë se ky është sulmi i tretë ndaj një depoje të përdorur prej saj në tre muajt e fundit. Asnjë pjesëtar i stafit nuk është lënduar.
 
“Gjatë natës së kaluar, mes 3 dhe 4 shtatorit, një sulm ajror në rajonin e Kievit preku një nga depot kryesore të OBSh-së, ku ruheshin materiale dhe furnizime mjekësore humanitare.”, - deklaroi zëdhënësi i OBSh-së, Christian Lindmeier. 
 
Qasja në objekt mbetet e kufizuar për shkak të tymit dhe shqetësimeve për sigurinë, ndërsa po vlerësohen dëmet dhe humbjet e mundshme. Dy javë më parë, një sulm shkatërroi një depo të OBSh-së në Dnipro, duke shkaktuar humbjen e gjysmës së furnizimeve dhe pajisjeve mjekësore të destinuara për rreth 225 mijë persona në zonat e frontit.
 
“Një tjetër depo e përdorur nga OBSh-ja në rajonin e Kievit u dëmtua gjatë një vale të gjerë sulmesh ndaj Kievit dhe rajonit në korrik.”, - theksoi zëdhënësi i OBSh-së, Christian Lindmeier.
 
Sipas OBSh-së, gjatë vitit 2026 të paktën 20 sulme kanë prekur depo me furnizime humanitare në Ukrainë, 15 prej tyre depo me materiale mjekësore. Organizata paralajmëron se sulmet mund të vonojnë ose ndërpresin dërgimin e ndihmave mjekësore për njerëzit në zonat më të prekura nga lufta.
 
Pavarësisht sulmeve, OBSh-ja thotë se po vazhdon furnizimin e spitaleve dhe qendrave shëndetësore në Ukrainë dhe po kërkon alternativa për ruajtjen e materialeve. Që nga nisja e pushtimit rus në shkallë të plotë, në shkurt 2022, OBSh-ja ka verifikuar më shumë se 3 mijë sulme ndaj kujdesit shëndetësor në Ukrainë.
 
ARMEND MURSELI