Maqedoni
Sashka Cvetkovska, fituese e çmimit për gazetari hulumtuese
18.06.2015 14:30
Misioni i BE-së dhe Instituti Maqedonas i Mediave ndau çmimet për gazetari hulumtuese në media për vitin 2014...

Çmimin e parë e mori gazetarja, Sashka Cvetkovska, me storien “Spiuni posedues i pronës”, ku është zbuluar se ish drejtori i Agjencisë për Zbulim, Sasho Mijakllov, posedon pronë në Çeki, e cila nuk është evidentuar në listën anketuese.
Çmimi i dytë iu nda gazetarit të “Fokusit”, Lubisha Arsiq, për aferën “Afis”, ku mjete teknike nga MPB dyshohet të jenë të shfrytëzuara për pasaporta për keqpërdorime në zgjedhje. Çmimi i tretë iu nda gazetares, Biljana Nikollovska, për rastin e Tamara Dimovskës, e cila humbi jetën duke pritur paratë për operim nga Fondi Shëndetësor.
“Dëshiroj që në të ardhmen sistemi të funksionojë dhe punës tonë t’i jepet kuptim më i madh dhe shoqëria jonë ta lëshojë sistemin e mospagesës për ata që do t’i thyejnë ligjet për të cilat ne shkruajmë”- deklaroi fituesja e çmimit, Sashka Cvetkovska.
Edhe dy fituesit tjerë, Lubisha Arsiq dhe Biljana Nikollovska, vlerësuan çmimet. Ndërsa euroambasadori, Aivo Orav, theksoi se roli i gazetarisë hulumtuese është i madh.
“Gazetaria hulumtuese është tejet e rëndësishme gjithkund në botë dhe sot askush nuk mund ta nënvlerësojë rolin e gazetarisë hulumtuese, është punë e rëndësishme me kushte të vështira, andaj më vjen mirë që BE kujdeset për lirinë e mediave në vendet tona, në vendet kandidate dhe që do t’i prezantojë çmimet për gazetarët”- tha euroambasadori, Aivo Orav.
Fituesit të çmimit të parë iu ndanë 4000 euro, ndërsa çmimit të dytë dhe të tretë iu ndanë nga 3000 euro. Çmime të tilla do të ndahen edhe në dy vitet e ardhshme.
FLUTURA LATIFI
