Botë

Plan i ri amerikan për përfundimin e luftës, ndërmjetësit e Trump zbarkojnë në Moskë dhe Kiev

05.09.2026 13:59

Përpjekje të reja për marrëveshje paqësore për Ukrainën, të iniciuara nga Uashingtoni...

Përpjekje të reja për marrëveshje paqësore për Ukrainën, të iniciuara nga Uashingtoni. Presidenti amerikan Trump dërgoi ndërmjetësit Jared Kushner dhe Steve Witkoff në një mision dyditor në Moskë dhe Kiev. Njoftohet se me vete mbajnë një propozim të ri amerikan për t'i dhënë fund luftës.
 
“I dërgova Witkoff dhe Kushner, dy negociatorë të shkëlqyer. Ata mbajnë me vete një propozim për përfundimin e luftës. I dërguam për të parë nëse mund të arrijmë diçka, të bëjmë diçka. Kam një ide për paqen dhe ndoshta ekziston një shans i madh për ta realizuar atë.”, u shpreh presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
 
Propozimi i ri amerikan vjen disa ditë pas takimit midis ministrave të financave të SHBA-së dhe Rusisë, Bessent dhe Siluanov, në SHBA, ku u diskutua për planin e paqes me 28 pika, të cilin Kievi e refuzoi në nëntor si kërkesë për dorëzim, e më pas edhe për planin e rishikuar me 20 pika. Presidenti ukrainas Zelensky konfirmoi se ndërmjetësit amerikanë Witkoff dhe Kushner po vijnë në Kiev dhe se forcat ukrainase nuk do të sulmojnë qiellin rus ndërsa ata ndodhen në Moskë.
 
“Qëllimi ynë është ta bëjmë vizitën e ndërmjetësve amerikanë sa më konstruktive dhe përmbajtësore. Do të shohim se çfarë përmban propozimi i Steve dhe Jared dhe për çfarë kanë biseduar në Moskë. Është e nevojshme të shqyrtojmë mundësitë reale për ta çuar procesin përpara, drejt përfundimit të kësaj lufte.”, u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
Moska për momentin përmbahet. Presidenti rus Putin deklaroi më parë se një marrëveshje përfundimtare për përfundimin e luftës mund të arrihet në radhë të parë mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa vendet e tjera mund të ndihmojnë në këtë proces. Një armëpushim lokal, i ndërmjetësuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, ka hyrë në fuqi për të mundësuar riparimet e furnizimit të jashtëm me energji elektrike në centralin bërthamor të Zaporizhias në Ukrainë, njoftoi sot organi mbikëqyrës i Kombeve të Bashkuara.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI