Kumanovë, gjashtë fëmijë të helmuar vetëm për një muaj
05.09.2026 15:44
Gjashtë fëmijë me simptoma helmimi janë trajtuar në repartin e Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës vetëm gjatë muajit gusht....

Gjashtë fëmijë me simptoma helmimi janë trajtuar në repartin e Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës vetëm gjatë muajit gusht. Me këto raste, numri i përgjithshëm i helmimeve të raportuara te fëmijët që nga fillimi i vitit ka arritur në 16. Më të prekurit janë fëmijët deri në moshën katërvjeçare, të cilët, nga kureshtja, mund të bien në kontakt me medikamente, produkte pastrimi, benzinë, pesticide dhe substanca të tjera potencialisht toksike. Rasti më i fundit është regjistruar ditëve të fundit, kur një fëmijë është dërguar në spital pas helmimit me produktin pastrues “Domestos”.
“Deri më tani këtë vit, 16 fëmijë janë dërguar në repartin pediatrik për shkak të helmimit, rasti i fundit përfshinte produktin "Domestos", duke e bërë këtë fëmijën e gjashtë gjatë muajit gusht.”, u shpreh kryeshefja e Repartit Pediatrik pran Spitalit të Kumanovës, dr. Margica Arsovska.
Arsovska, thotë se rastet më të shpeshta lidhen me helmimet nga medikamentet, përfshirë antibiotikët, qetësuesit, si dhe barnat që përdoren për sëmundjet e zemrës dhe diabetin. Ndërkaq në vend të dytë janë produktet e ndryshme shtëpiake, veçanërisht me detergjente pastrimi, ndërsa më pas vijnë rastet që lidhen me pesticidet dhe bimët.
“Në vendin tonë, rastet më të shpeshta të helmimit lidhen me medikamentet – si antibiotikët, qetësuesit dhe ilaçet për sëmundjet e zemrës apo diabetin, pastaj edhe nga produktet shtëpiake higjienike si detergjenti i enëve, Domestos-i dhe si dhe detergjentë të tjerë të ndryshëm pastrimi, gjithashtu përfshihen pesticidet, si dhe gëlltitja e bimëve. Ne shohim fëmijë të vegjël të cilët në mënyrë të natyrshme provojnë gjëra dhe eksplorojnë mjedisin përreth, ata nuk duan vetëm të shikojnë, por duan edhe t'i shijojnë gjërat.”, theksoi Arsovska.
Mjekja thekson se deri tani në Kumanovë nuk janë regjistruar format më të rënda të helmimit. Megjithatë, ajo paralajmëron se në raste të caktuara pasojat mund të jenë jashtëzakonisht serioze, duke shkaktuar humbje të vetëdijes e deri në pasoja fatale. Në rast dyshimi për helmim, prindërit duhet ta dërgojnë fëmijën menjëherë për kontroll mjekësor dhe, nëse është e mundur, të marrin me vete edhe produktin me të cilin ka rënë në kontakt fëmija. Kjo u mundëson mjekëve të identifikojnë substancën, të vlerësojnë sasinë e mundshme të gëlltitur dhe të përcaktojnë kohën që ka kaluar nga ekspozimi. Arsovska u bën thirrje prindërve të mos ndërmarrin veprime të rrezikshme në shtëpi, veçanërisht në rastet e kontaktit me kimikate dhe detergjentë, por të kërkojnë menjëherë ndihmë profesionale.
FATLUM AQIFI
