Maqedoni

Denoncimi nga qytetari mundësoi zbulimin dhe dokumentimin e veprës penale

06.09.2026 12:02

Ekziston dyshim i bazuar se i dyshuari ka kryer veprën penale “Marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”....

Prokurori Publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke vepruar pas kallëzimit penal të dorëzuar nga Njësia për Korrupsion pranë Byrosë për Siguri Publike, ka nxjerrë Urdhër për zbatimin e procedurës hetimore ndaj një personi të punësuar në Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ekziston dyshim i bazuar se i dyshuari ka kryer veprën penale “Marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”.
 
Procedura është iniciuar pas denoncimit të një qytetari, nga i cili i dyshuari, në periudhën nga 24 korriku deri më 4 shtator 2026, ka kërkuar 1.500 euro për të shfrytëzuar ndikimin e tij të supozuar. I dyshuari, i cili punonte si shofer i një funksionari të lartë qeveritar, i ka premtuar të dëmtuarit se do të ndërmjetësonte te zyrtarët e Qytetit të Shkupit lidhur me punësimin pas shpalljes së konkursit për pranimin e zjarrfikësve.
 
Pas denoncimit, organet kompetente, në koordinim me prokurorin kompetent, ndërmorën veprime për sigurimin e provave. Më 4 shtator 2026, i dyshuari është kapur në flagrancë gjatë dorëzimit të 500 eurove, si pjesë e shpërblimit prej 1.500 eurosh që kishte kërkuar dhe që paraprakisht ishin shënuar.
 
Duke vlerësuar se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për arratisje, mundësi që i dyshuari të ndikojë te dëshmitarët në procedurë, si dhe rrethana që justifikojnë frikën se mund ta përsërisë veprën penale, Prokurori Publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit. Gjyqtari i procedurës paraprake e ka pranuar propozimin e Prokurorisë dhe me aktvendim i ka caktuar të dyshuarit paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
 
Denoncimi në kohë i korrupsionit dhe gatishmëria e qytetarëve për të bashkëpunuar me institucionet kompetente janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Denoncimi i kërkesës ose ofertës për ryshfet dhe ndikim të kundërligjshëm mundëson reagim në kohë, sigurimin e provave dhe veprim efikas të organeve kompetente. Prokuroria Publike i inkurajon qytetarët t’i denoncojnë raste të tilla dhe të bashkëpunojnë me institucionet kompetente, ndërsa mbetet e përkushtuar për veprim të vendosur ndaj të gjitha informacioneve për sjellje korruptive për të cilat ekzistojnë baza për ndërmarrjen e veprimeve prokuroriale.