Maqedoni
Përplasje pas arrestimit për ryshfet, LSDM: Kush qëndron pas shoferit?
06.09.2026 14:36
Arrestimi i shoferit të Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë shkaktoi reagime dhe akuza të ndërsjella mes opozitës dhe pushtetit...

Arrestimi i shoferit të Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë Igor Janushev i dyshuar për marrje ryshfeti prej 1.500 eurosh për ndërmjetësim për punësim, shkaktoi reagime dhe akuza të ndërsjella mes opozitës dhe pushtetit maqedonas. Socialdemokratët kërkojnë përgjegjësi dhe e akuzojnë pushtetin për krim të organizuar. Nga kjo parti dyshojnë edhe për rolin e vetë Janushevit dhe hapur pyesin nëse shoferi është “dorë e zgjatur” e tij në këtë rast.
“Mund të shtoj vetëm se si edhe deri tani, ndoshta një pjesë e policisë e kryen punën e saj, megjithatë, si edhe në rastet e deritanishme, deri më tani askush nuk jep përgjegjësi. Le të shohim nëse në këtë rast do të përgjigjet shoferi apo vetëm me një telefonatë do t’i kryhet puna, dhe të shohim nëse do të hetohet e gjithë procedura, të shohim nëse ky njeri është vetëm dorë e zgjatur e Igor Janushevit.”, u shpreh Renata Mladenovska nga LSDM.
VMRO: Dëshmi se shteti funksionon
Por krejt ndryshe e shohin këtë rast nga partia në pushtet. Nga VMRO-DPMNE thonë se institucionet kanë reaguar menjëherë dhe pa kompromis. Sipas tyre, kjo Qeveri nuk e fsheh, por e lufton në mënyrë rrënjësore korrupsionin.
“Ministria e Punëve të Brendshme ka vepruar me shpejtësi, duke përdorur para të shënuara, dhe i dyshuari tashmë ndodhet prapa grilave. Ky rast dëshmon se shteti i së drejtës funksionon për të gjithë. Po të ishte në kohën e LSDM-së, asgjë nga kjo nuk do të merrej vesh, sepse askush nuk do të sanksionohej, ndërsa ato para prej kohësh do të përfundonin te ndonjëri prej krerëve të LSDM-së”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Qeveria: Ligji vlen për të gjithë
Edhe nga Qeveria theksojnë se ky rast dëshmon se ligjet vlejnë për të gjithë dhe konfirmon vullnetin dhe synimin e Qeverisë për ta luftuar korrupsionin.
“Ky është edhe një shembull se si, përmes bashkëpunimit të përbashkët ndërmjet organeve dhe institucioneve, mund të vihet drejtësia në vend”, thuhet në njoftimin e qeverisë, nga ku theksojnë se me këtë vendoset një kufi i qartë ndërmjet atyre që synojnë të kryejnë keqpërdorime dhe të gjithë të tjerëve që luftojnë kundër tyre.
REXHEP QAMILI
