Maqedoni
Rreziku nga zjarret, gjashtë zjarre aktive në vend
06.09.2026 14:54
Rreziku nga zjarret vazhdon të jetë i lartë, ndërsa aktualisht në vend janë gjashtë zjarre aktive në hapësira të hapura...

Rreziku nga zjarret vazhdon të jetë i lartë, ndërsa aktualisht në vend janë gjashtë zjarre aktive në hapësira të hapura, disa prej të cilave janë më të ndërlikuara për shuarje. Më kompleksi për momentin është zjarri në rajonin e Ramnos, në territorin e Komunës së Çuçer Sandevës, ku digjet vegjetacion i ulët, bar dhe shkurre, ndërsa në disa vende zjarri ka përfshirë edhe sipërfaqe pyjore, tha drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov. Në terren po intervenojnë zjarrfikësit e Shkupit, disa ekipe zjarrfikëse të DMSH-së, pjesëtarë të Armatës, si dhe një helikopter i policisë, i cili vepron në pikat kritike me qëllim parandalimin e përhapjes së zjarrit.
“Zjarri lëviz nëpër tokë dhe përfshin shtresën e gjetheve dhe barit, për shkak të së cilës krijohen sasi të mëdha tymi. Era e fortë e drejton tymin drejt Shkupit dhe vendbanimeve përreth, në shpatet e Malit të Zi të Shkupit.”, u shpreh drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.
Angellov informoi se aktiv mbetet edhe zjarri mbi fshatrat Graçan dhe Nigishtan, i cili po zbret drejt Lepencit, por me intensitet të zvogëluar. Sipas Angellovit, sot pritet që ky zjarr të vihet nën kontroll të plotë. Sërish është aktivizuar edhe zjarri në zonën mes Strugës dhe Dibrës, në territoret e disa fshatrave, ku po intervenojnë zjarrfikësit e Strugës. Zjarre aktive ka edhe në territorin e fshatit Tajmishte në Komunën e Kërçovës dhe te fshati Belicë në Komunën e Makedonski Brodit, ku terreni është jashtëzakonisht i vështirë dhe i paarritshëm. Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm.
VLORA LATIFI TOPOJANI
