Biseda për zgjerimin e Qeverisë, Kasami: Ditëve në vijim do ketë veprime konkrete
06.09.2026 15:57
Spekulimet për ndryshime në skenën politike shqiptare janë rikthyer në vëmendje....

Spekulimet për ndryshime në skenën politike shqiptare janë rikthyer në vëmendje. Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, konfirmon se zhvillohen bisedime për zgjerimin e Qeverisë, por mohon se në këtë fazë po diskutohet për përfshirjen e Ziadin Selës në VLEN.
“Nuk besoj që ka bisedime në drejtim të përfshirjes në VLEN, por që ka biseda në drejtim të përfshirjes në Qeveri, ka biseda, pra Qeveria mund të zgjerohet. Për momentin z. Sela… nuk jemi në bisedime me z. Selën për të qenë pjesë e VLEN-it.”, u shpreh bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami.
Nga Lidhja Shqiptare, megjithatë, reaguan ndaj deklaratës së Kasamit. Nga kjo parti thonë se nuk e shohin veten pjesë të një koalicioni që, sipas tyre, i vendos të drejtat e shqiptarëve në funksion të pushtetit.
“Lidhja Shqiptare nuk e sheh veten pjesë të një konglomerati mbetjesh të llojllojshme që tregtojnë të drejtat e shqiptarëve në shkëmbim të pushtetit.”, thonë nga Lidhja Shqiptare.
Ndërkohë, Kasami u pyet nga gazetarët edhe për kryetarin e Vrapçishtit, Isen Shabani, dhe atë të Gostivarit, Valbon Limani, për të cilët u pretendua se së fundmi janë parë në takime me funksionarë të VLEN-it. Kasami konfirmoi se ka bisedime për lëvizje të tilla në skenën politike, por nuk përmendi emra konkretë.
“Sigurisht që në skenën politike në përgjithësi ka zhvillime të tilla, ka lëvizje të tilla, veçanërisht këtu te ne ku e dimë se opozita është e përçarë dhe ka pakënaqësi mes shumë strukturave opozitare dhe në këtë drejtim janë bisedimet të cilat po zhvillohen dhe besoj se në ditët në vijim do të ketë edhe veprime konkrete.”, u shpreh Kasami.
Por, emrat e përmendur japin një tjetër version. Isen Shabani publikoi një fotografi me kryetarin e ASH-së, Arben Taravari, me mesazhin “Vazhdojmë…”, ndërsa Valbon Limani deklaroi se mbetet anëtar i Aleancës për Shqiptarët.
“Jam anëtar i Aleancës për Shqiptarët, e cila mbetet parti autonome, dhe nuk ekziston asnjë zhvillim që do të sugjeronte bisedime apo rikonfigurime të skenës politike”, thuhet në reagimin e Limanit, i cili thotë se fokusi i tij mbetet në mbarëvajtjen e punëve në Komunën e Gostivarit.
REXHEP QAMILI
