Arrestohet shoferi i S.P. të Qeverisë, kërkoi ryshfet 1500 euro për punësim

06.09.2026 15:58

E nisi me idenë se do të përfitonte 1.500 euro për ta punësuar një shkupjan si zjarrfikës, por plani i dështoi dhe ai përfundoi në paraburgim...

E nisi me idenë se do të përfitonte 1.500 euro për ta punësuar një shkupjan si zjarrfikës, por plani i dështoi dhe ai përfundoi në paraburgim. D.C., shofer në shërbimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, Igor Janushev, u arrestua në flagrancë më 4 shtator, gjatë marrjes së 500 eurove, kësti i parë i shumës së kërkuar. Aksioni u zhvillua pas denoncimit të një qytetari, i cili tha se i dyshuari i kishte kërkuar para për ndërmjetësim në procedurën e punësimit në Qytetin e Shkupit. Sipas autoriteteve, D.C. pretendonte se njihte persona që mund të ndikonin në proces pas shpalljes së konkursit për zjarrfikës.
 
“Në kuadër të masave dhe aktiviteteve të ndërmarra D. C. i punësuar si shofer në shërbimin e Sekretarit të Përgjithshëm pranë Qeverisë, është kapur në flagrancë gjatë pranimit të bankënotave të shënuara paraprakisht, pas së cilës i njëjti është privuar nga liria. Pas dokumentimit të plotë të rastit, në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është dorëzuar kallëzim penal për veprën penale “Marrja e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”, sipas nenit 359, paragrafi 7, në lidhje me paragrafin 2 të Kodit Penal.”, u shpreh zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
 
Rasti u denoncua në korrik nga vetë qytetari. Ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, për shkak të rrezikut të arratisjes.
 
“Pas denoncimit, organet kompetente, në koordinim me prokurorin përgjegjës për lëndën, ndërmorën veprime për sigurimin e provave. Më 4 shtator 2026, i dyshuari është kapur gjatë dorëzim - pranimit të 500 eurove, si pjesë e shpërblimit të kërkuar prej 1.500 eurosh, të cilat paraprakisht ishin shënuar.”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke theksuar se raportimi në kohë i korrupsionit dhe gatishmëria e qytetarëve për të bashkëpunuar me institucionet janë vendimtare në luftën kundër çfarëdo forme të korrupsionit në vend.
 
REXHEP QAMILI