Botë

Rusi-Ukrainë, amerikanët me plan për fund të luftës

06.09.2026 16:46

Pas takimit me Putinin në Moskë, negociatorët amerikanë, zhvilluan një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev...

Pas takimit me Putinin në Moskë, negociatorët amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, zhvilluan një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev. Në tryezë ishin idetë e Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës, si dhe vërejtjet dhe vlerësimet nga bisedimet treorëshe me kreun e shtetit rus. Këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, bëri të ditur se ekipi amerikan shprehu interes për përfundimin sa më të shpejtë të luftimeve dhe ofroi një sërë idesh lidhur me rrugët e mundshme drejt një zgjidhjeje. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se të dyja palët diskutuan plane konkrete për hapat e ardhshëm, të cilat pritet të bëhen publike në javët e ardhshme.
 
“Pala ruse dha vlerësime të qarta dhe gjithëpërfshirëse për situatën që po zhvillohej gjatë operacionit special ushtarak. Ajo theksoi përparimin e rëndësishëm të ushtrisë ruse në zonën e luftimeve dhe shprehu besim në realizimin e objektivave të saj. Gjithashtu, theksoi nevojën për zgjidhjen e të gjitha shkaqeve themelore të konfliktit”, deklaroi Yuri Ushakov, këshilltar i presidentit rus Putin.
 
Putin dhe Zelensky urdhëruan një armëpushim treditësh gjatë vizitës së delegacionit amerikan, por palët nuk arritën marrëveshje për një armëpushim më të gjerë.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI