Maqedoni
Kërçovë: Dr. Imer Zenku promovoi katër vepra shkencore nga fusha e energjetikës
06.09.2026 17:13
Mbrëmë në Qendrën për Kulturë në Kërçovë, u promovuan katër veprat shkencore të Dr. Imer Zenkut...

Mbrëmë në Qendrën për Kulturë në Kërçovë, u promovuan katër veprat shkencore të Dr. Imer Zenkut, kushtuar fushës së energjetikës. Në promovimin e këtyre librave, morën pjesë profesorë, recensentë, bashkëpunëtorë dhe personalitete të njohura të sferës energjetike nga vendi, Kosova dhe Shqipëria.
Manifestimi promovues kushtuar katër veprave shkencore të Dr. Prof. Imer Zenku, i cili u mbajtë mbrëmë në Qendrën për Kulturë në Kërçovë, shpalosi një hulumtim të bazuar mbi sfidat energjetike nga teoria, drejt praktikës në prodhimin e energjisë elektrike. Për këto vepra dhe rëndësinë thelbësore që fokuson edhe burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe funksionin energjetik, folën recenzentët: Blerim Zeqiri, Afrim Loku, Kjani Guri dhe Gordana Tasevska, të cilët e vlerësuan lartë përkushtimin hulumtues të autorit Imer Zenku, për teoritë, praktikat dhe aspektet e prodhimit të energjisë elektrike, në sfidat zhvillimore për një ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme.
Të pranishmive iu drejtua edhe autori i këtyre veprave Prof.Dr. Imer Zenku, i cili u shprehu mirënjohje të gjithë atyre që e mbështetën botimin e këtyre veprave, të cilat janë trajtime serioze, që do tu shërbejnë studentëve, ekspertëve dhe studiusve të rinjë në përpjekjet për një ekonomi të qëndrueshme energjetike.
Për këto arritje në fushën energjetike, autorin e përgëzuan edhe kolegët dhe profesionistët e kësaj lëmie, ish studentët e tij Zemërart Asani dhe Artan Merku, profesori i autorit Dr. Ruzhdi Sefa, si dhe profesoresha Romina Radonshiqi nga Tirana dhe shoku i gjeneratës, lideri i BDI-së Ali Ahmeti.
SHABAN DALIPI
